1582446748188.JPG

Papa: paqe e vëllazërim në Mesdhe; jo, retorikës së ndeshjs ndërmjet qytetërimeve!

Lufta është marrëzi së cilës nuk duhet t’i nënshtrohemi kurrë. Nuk duhet të ngremë mure e as të pranojmë se mund të vdiset në mes të detit, pa asnjë ndihmë. Këto, fjalët që u drejtoi sot paradite Papa 50 ipeshkvijve e patriarkëve të Mesdheut, gjatë vizitës së tij në Bari, ku sot mbyllet takimi “Mesdheu, kufi i paqes”

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ndodhej sot në Bari, ku mbylli punimet e Takimit ipeshkvnor me temë “Mesdheu, kufi i paqes”, i cili filloi më 19 shkurt pasdite. 58 barinj të Kishës, nga 20 vende të detit, që romakët e quanin “Mare nostrum”, ndërmjet të cilëve edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, diskutuan për pesë ditë me radhë, në Kështjellën Svevo, mbi vëllazërimin, paqen, lirinë fetare, gjendjen e Kishave lokale e marrëdhëniet ndërmjet tyre, si edhe mbi dialogun ndërmjet popujve mesdhetarë, të cilët kanë qenë dhe janë vazhdimisht të lidhur, duke ndikuar mbi kulturën, traditat e zakonet e njëri-tjetrit. Ky takim, për mënyrën e zhvillimit, mund të konsiderohet një lloj Sinodi, dokumentin përfundimtar të të cilit ia dorëzuan sot ipeshkvijtë Atit të Shenjtë.

Ta ngremë zërin për paqen, për bashkësitë e krishtera, për refugjatët

 Papa Françesku mbërriti në Bari, në orën 8.15 e vetëm një çerek ore më pas, u takua me ipeshkvijtë pjesëmarrës në Takim, në Bazilikën e njohur të Shën’Kollit, ku barinjtë e Kishës nga Afrika e Veriut, Italia, Franca, Spanja, Lindja e Mesme, Ballkani, Malta e Qipro, e filluan ditën me kremtimin e meshës, gjatë gjithë këtij “Sinodi”.

Atyre, Papa u foli për paqen, duke përmendur gjithë situatat e luftës, përreth Mesdheut; atyre u theksoi se paqja presuposon si përparësi drejtësinë, e cila duhet të jetë objektiv i rëndësishëm edhe për Kishën e për të gjitha institucionet civile; atyre u dha si shembull kryetarin shenjt të bashkisë së Firences, Giorgo La Pira, i cili thoshte se  politika duhet të udhëhiqet nga “pritshmëritë e të varfërve”; atyre u kërkoi t’i ndihmojnë popullsitë nga vijnë, ta kapërcejnë frikën nga të huajt, nga migrantët e refugjatët, që ikin për shkak të luftrave e të terrorizmit, por edhe për shkak të kushteve të një jete të padenjë në vendin e tyre. E këtu, Papa Françesku nuk mund të mos përmendte të krishterët e persekutuar, sidomos në Lindjen e Mesme:

“Ta ngremë zërin – u bëri thirrje ipeshkvijve të Mesdheut - për t’u kërkuar qeverive mbrojtjen e pakicave dhe të lirisë fetare. Persekutimi, viktima të së cilës janë sidomos – por jo vetëm – bashkësitë e krishtera, është plagë, që na e lëndon thellë zemrën e nuk mund të na lerë indiferentë”.

Mesdheu, det i shumë kulturave

 Më tej, Ati i Shenjtë i nxiti ipeshkvijtë të punojnë që Mesdheu t’i përgjigjet edhe sot, thirrjes së tij të përhershme për të qenë deti i shumë kulturave, deti i takimit dhe i dialogut, larg frymës së theksuar nacionaliste; u nënvizoi vlerën teologjike të dialogut, duke nënvizuar se dëgjimi i vëllait nuk është vetëm vepër bamirësie, por edhe një mënyrë për të dëgjuar Shpirtin e Zotit; u përmendi vlerën ungjillore të mikpritjes, sepse, siç thuhet në Letrën drejtuar hebrenjve, ndokush nga ata që e vunë në jetë, pritën egjëj pa e ditur as vetë.

Të mendohet për një teologji të mikpritjes e të dialogut

Papa Françesku kërkoi të mendohet për një teologji të mikpritjes e të dialogut, që të interpretojë sërish e të ripropozojë mësimet biblike. Kujtoi Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi, së bashku me Imamin e madh të Al Azharit e i nxiti ipeshkvijtë për bashkëpunim me të gjitha grupet fetare. E duke ua besuar ata dhe punën e tyre në vendet përkatëse ndërhyrjes së shën Palit apostull, i pari, që kaloi Mesdheun, duke përballuar çdo rrezik për t’u çuar të gjithëve Ungjillin e Krishtit, uroi që shembulli i tij t’u tregojë rrugët e transmetimit të fesë në botën e sotme.

“Ja vepra, që Zoti ju beson për këtë zonë të dashur të Mesdheut – e përfundoi fjalën e tij për ipeshkvijtë Papa Françesku – të rilidhen marrëdhëniet e ndërprera, të rindërtohen qytetet e shkatërruara nga dhuna, të lulëzojnë kopshtet aty ku sot terrenet janë të djegura, të nxitet shpresa për ata, që e kanë humbur dhe, të këshillohet ai, që mbyllet në vetvete, të mos e ketë frikë vëllain”.

Në fund të takimit me ipeshkvijtë e Konferencës “Mesdheu, kufi i paqes”, Papa Françesku zbriti në kriptën e Bazilikës për të nderuar reliket e Shën’Kollit e për të përshëndetur bashkësinë e etërve dominikanë. Pasi doli nga Bazilika, në tremen e saj, Ati i Shenjtë përshëndeti besimtarët dhe gjithë njerëzit e grumbulluar në sheshin para kishës. Në orën 10.45, kremtimi eukaristik në Bulevardin “Vittorio Emanuele II”.

23 shkurt 2020, 10:40