Papa Françesku: të jemi të varfër në shpirt, për të qenë të lirë

Në katekizmin e sotëm, gjatë audiencës së përgjithshme në Sallën Pali VI, kushtuar Lumnive ungjillore, Papa kujtoi se të varfërit në shpirt janë ata, që ndihen “lypsarë deri në thellësinë e zemrës”. Vetëm duke i pranuar kufizimet personale, njeriu mund të dojë lirisht e të japë jetën për të tjerët.

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i Lumnive, i përmendur shpesh nga Papa Françesku, ishte në qendër edhe të katekizmit të sotëm të Atit të Shenjtë, gjatë audiencës së përgjithshme në Sallën Pali VI, në Vatikan. Papa komentoi të parën nga tetë lumnitë e Ungjillit sipas Mateut: “Lum të varfërit në shpirt”.

Paradoksi i Lumnisë së parë

         Papa kujton se kjo Lumni duket paradoksale, ka në qendër një “objekt të çuditshëm lumnie. Duhet ta pyesim veten: ç’kuptohet këtu me fjalën ‘të varfër’?” Nëse shën Mateu ungjilltar do të përdorte vetëm këtë fjalë, kuptimi i saj do të ishte thjesht ekonomik, pra, do të tregonte njerëz që kanë pak, ose aspak mjete jetese dhe kanë nevojë për ndihmën e të tjerëve. Por, në ndryshim nga Ungjilli sipas Lukës, shën Mateu flet për “të varfërit në shpirt”.

         “Shpirti, sipas Biblës, është fryma e jetës që Zoti i komunikoi Adamit; është përmasa jonë më intime, - le të themi përmasa shpirtërore… më e brendshmja – ajo, që na bën njerëzorë, bërthama më e thellë e qenies sonë. Atëherë, ‘të varfërit në shpirt’ janë dhe ndihen të varfër, lypës, deri në thellësinë e qenies. Jezusi i shpall të Lum, sepse atyre u përket Mbretëria e Qiellit”.

Papaftësia për të kërkuar falje

         Diçka, krejtësisht e kundërt me ç’na propozon bota, nënvizoi më pas Papa Françesku. Në botë duhet të kesh emër të madh, të jesh dikushi, të vihesh në konkurrencë me të tjerët e të jetosh me shqetësimin e vazhdueshëm për egoizmin personal. Por, Ungjilli na mëson se kur nuk e ul hundën, “kur nuk pranoj të jem i varfër, urrej gjithçka që më kujton brishtësinë time. Secili, para vetes, e di mirë që, sado të përpiqet, mbetet gjithnjë rrënjësisht i paplotë dhe i brishtë”.

“E sa keq jetohet nëse refuzojmë kufizimet personale! Njerëzit hundëpërpjetë nuk kërkojnë ndihmë, sepse duhet të tregohen të pavarur para botës. E sa e vështirë është t’i pranojnë gabimet e të kërkojnë falje! Ndërsa Zoti nuk lodhet kurrë së faluri; fatkeqësisht, jemi ne që lodhemi së kërkuari falje”.

Forca e lutjes qëndron në varfërinë tonë

Papa shpjegoi se është e vështirë të kërkohet falje, pasi kjo duket sikur e poshtëron imazhin hipokrit, që kemi krijuar për veten. Por, kur njeriu përpiqet t’i fshehë kufizimet e veta, përpëlitet më kot në ankth të përhershëm. Jezu Krishti na mëson se varfëria është mundësi për të marrë Hirin e Tënzot e se kemi të drejtë të jemi të varfër në shpirt, pasi kjo është udha drejt Mbretërisë së Zotit.

“Por duhet thënë një gjë thelbësore: nuk duhet të transformohemi që të bëhemi të varfër në shpirt, nuk duhet të bëjmë asnjë lloj shndërrimi, sepse ashtu jemi që tani! Jemi të varfër ... ose më qartë: jemi njerëz të varfër në shpirt! Kemi nevojë për gjithçka. Të gjithë jemi të varfër në shpirt, jemi lypës. Kjo është gjendja njerëzore. Në Liturgjinë e Orëve fillojmë gjithnjë, duke thënë: ‘O Zot eja të më shpëtosh; o Zot eja shpejt të më ndihmosh’. E kush flet kështu? Lypësi. Forca e lutjes qëndron në varfërinë tonë”.

Pushteti i vërtetë

Ungjilli, vijoi Papa katekizmin e audiencës së përgjithshme, flet qartë: “Mbretëria e Zotit u përket të varfërve në shpirt. Ka nga ata që zotërojnë mbretëritë e kësaj bote: kanë pasuri dhe rehati. Por, këtyre mbretërive u vjen fundi. Pushteti i njerëzve, edhe ai i perandorive më të mëdha, kalon e zhduket. Por, mbi të gjitha: a është mbretërim i vërtetë ky?”, pyeti Françesku.

“Sa herë shohim në lajme, ose në gazeta se ai sundimtar i fortë, i fuqishëm, ajo qeveri... ra: dje ishte, sot nuk është. Pasuritë e kësaj bote kalojnë e kështu, edhe paratë. Pleqtë na mësojnë se qefini nuk ka xhepa. Është e vërtetë. Nuk kam parë kurrë një kortezh funebër me ndonjë kamion me plaçka nga pas: askush nuk merr me vete asgjë. Pasuria mbetet këtu. Mbretëron vërtet ai, që di ta dojë të mirën e vërtetë, më shumë së vetveten. Ky është pushteti i Zotit”.

Krishti, vijoi Ati i Shenjtë, u tregua i fuqishëm, “sepse diti të bënte çka nuk bëjnë mbretërit e tokës: dha jetën për njerëzit. Ky është pushteti i vërtetë. Këtu qëndron liria e vërtetë. Në shërbim të kësaj lirie është varfëria, që lëvdohet në Lumnitë ungjillore”. Ka një varfëri, përfundoi Papa, “të cilën duhet ta pranojmë - atë të qenies sonë - dhe një varfëri, të cilën duhet ta kërkojmë, varfërinë konkrete, larg gjërave të kësaj bote, për të qenë të lirë e për të dashur me gjithë shpirt”.

05 shkurt 2020, 13:21