Papa Françesku në Shën Pjetër, 31 dhjetor 2019 Papa Françesku në Shën Pjetër, 31 dhjetor 2019 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Mesazhi i Papës Françesku për Ditën e 28-të Botërore të të Sëmurit, Engjëlli i Tënzot i 1 janarit e takimet e ardhshme kishtare në Bari e Asizi: kjo, panorama e lajmeve javore.

R.SH. - Vatikan

Papa: Kisha të jetë bujtinë e Samaritanit të Mirë për të sëmurët

         “Kisha dëshiron të jetë gjithnjë e më shumë dhe gjithnjë e më mirë, ‘bujtina’ e Samaritanit të Mirë, që është Krishti (shih Lk 10,34), pra, shtëpia ku mund të gjeni hirin e Tij, shprehur në familjaritetin, mikpritjen e lehtësimin shpirtëror”. Kështu shkruan Papa Françesku, në Mesazhin për Ditën e 28-të Botërore të të Sëmurit, me temë “Ejani tek unë të gjithë ju, që jeni lodhur prej barrës së rëndë e, unë do t’ju çlodh” (Mt 11,28). Mesazhi u bë i njohur të premten e kaluar, më 3 janar.

Papa flet për një Kishë-shtëpi, ku të sëmurët kanë mundësi të “takojnë njerëz që, të shëruar nga mëshira e Zotit, me gjithë të metat e tyre, do të dinë t’ju ndihmojnë të mbani kryqin, duke i kthyer plagët në dritare, përmes të cilave mund të shikoni horizontin përtej sëmundjes dhe të merrni dritë e ajër për jetën tuaj”. Ati i Shenjtë u drejtohet edhe veprimtarëve të shëndetësisë, duke lavdëruar të gjithë ata, që “veprojnë me kompetencë, duke bërë të ndihet prania e Krishtit, i cili e ngushëllon dhe kujdeset për të sëmurin, duke ia mjekuar plagët”.

Takimi i Papës me të sëmurët, gjatë audiencës së përgjithshme
Takimi i Papës me të sëmurët, gjatë audiencës së përgjithshme

Papa, në Engjëllin e Tënzot të 1 janarit: “kërkoj falje për shembullin e keq të djeshëm”

         “Nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë që planeti ynë të fillojë një rrotullim të ri rreth diellit dhe që ne, qeniet njerëzore, të vazhdojmë të jetojmë në të. Nuk është e mirëqenë, përkundrazi, është gjithmonë një ‘mrekulli’, për të cilën të mahnitemi e të falenderojmë”, sepse është kohë e re, dhënë për të takuar mëshirën e Zotit dhe për t’u kthyer në udhën e Atit Qiellor. Kështu tha Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 1 janarit, në përfundim të meshës së kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, në Solemnitetin e Zojës-Nënë e Zotit dhe në Ditën e 53-të Botërore të Paqes.

         “Jezusi nuk e largoi të keqen nga bota, por e mundi atë që në rrënjë. Shëlbimi i tij nuk është magjik, por shpëtim ‘plot durim’, pra, përfshin durimin e dashurisë, që merr përsipër paudhësitë dhe e hedh poshtë pushtetin. Durimi i dashurisë: dashuria na bën të durueshëm. Shumë herë e humbasim durimin; edhe unë… e kërkoj falje për shembullin e keq të djeshëm”. Papa i referohej mbrëmjes së një dite më parë, kur pas Te Deum-it, sipas traditës, doli për të përshëndetur besimtarët e mbledhur rreth pemës dhe Betlehemit, në Sheshin e Shën Pjetrit. Një grua aziatike nuk ia lëshoi dorën dhe e tërhoqi fort drejt vetes, duke i shkaktuar dhimbje. Ati i Shenjtë humbi durimin dhe i ra dorës për t’u çliruar prej saj. Videoja e këtij gjesti ka bërë tashmë disa herë xhiron e rrjeteve shoqërore e të mediave të gjithë botës.

         Por përtej këtij episodi, për të cilin Papa kërkoi falje, mesazhi kryesor i Françeskut në Engjëllin e Tënzot të 1 janarit, ishte ky: “Atyre, që janë viktima të padrejtësisë dhe të shfrytëzimit e nuk shohin rrugëdalje, Jezusi u hap derën e vëllazërimit, pas së cilës të gjejnë fytyra, zemra dhe duar mikpritëse, të ndajnë hidhërimin dhe dëshpërimin dhe të rifitojnë njëfarë dinjiteti. Të sëmurëve rëndë dhe të braktisurve, që çkurajohen, - përfundoi Papa - Jezusi u afrohet, ua prek plagët me butësi, derdh mbi to vajin e ngushëllimit dhe e shndërron brishtësinë në forcë të së mirës, për të zgjidhur edhe nyjet më të ndërlikuara. Të burgosurve, që mbyllen në vetvete, Jezusi u rihap horizontin e shpresës, duke filluar nga një spirale e vogël drite”.

Papa në Shën Pjetër, pas Te Deum-it
Papa në Shën Pjetër, pas Te Deum-it

Kard. Bassetti shprehet me besim për dy ngjarjet e ardhshme kishtare në Bari e Asizi

         Në Ditën e 53-të Botërore të Paqes, kard. Gualtiero Bassetti, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, gjatë homelisë së meshës, kremtuar në katedralen e Shën Lorencit në Peruxha, kujtoi dy ngjarje botërore, organizuar nga Kisha, muajt e ardhshëm, në Bari dhe në Asizi. Në qytetin puljez përballë Shqipërisë, nga 19 deri më 23 shkurt, do të mbahet Takimi ndërkombëtar “Mesdheu, kufi i paqes”, ndërsa nga 26 deri më 28 mars, në Asizi, do të mblidhen ekonomistë të rinj dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar mbi “Ekonominë e Françeskut”.  Vetë Papa do të jetë i pranishëm në të dyja takimet.

Takimi i Barit, në shkurt 2020

“Në takimin e ardhshëm në Bari – pohoi kard. Bassetti – do të marrin pjesë ipeshkvij delegatë të vendeve rreth Mesdheut, autoritete politike botërore dhe studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare. Do të jetë rast për një reflektim të gjerë dhe të përbashkët mbi jetën e Kishave në brigjet e ‘Liqenit të Tiberiades’, siç e quante Mesdheun La Pira, si edhe mbi marrëdhëniet ndërmjet popujve, që jetojnë rreth këtij Deti të madh. Me ndihmën e Zotit, shpresojmë të inkurajojmë dialogun dhe bashkëjetesën paqësore në këtë zonë të botës, nga e cila buron qytetërimi dhe feja jonë”. Nisma e sivjetme, siç shpjegoi kardinali Bassetti, merr për model të ashtuquajturat “Bisedime mesdhetare”, organizuar në vitet ‘50 e ’60 nga kryetari i atëhershëm i bashkisë së Firences, Giorgio La Pira, për të cilin vijon procesi i lumnimit. Synimi i tyre ishte dialogu ndërmjet tri familjeve të mëdha fetare: hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve, parë si kontribut për paqen botërore. Në këtë dialog u përfshinë edhe vendet e Afrikës sub-sahariane, të cilat dilnin nga kolonializmi, pikërisht në ato vite.

Katedralja e Barit
Katedralja e Barit

Takimi ndërkombëtar i Asizit, në mars 2020

Ndërkaq, në takimin ndërkombëtar të Asizit, në fund të marsit, “do të reflektohet mbi perspektivat e ekonomisë botërore dhe do të bëhen përpjekje për të gjetur rrugë të reja që zhvillimi ekonomik dhe shoqëror të mos jetë në kundërshtim me respektin për dinjitetin njerëzor dhe me mbrojtjen e gjithësisë”. “Kisha, që prej një shekulli, - nënvizoi kardinali Bassetti - ka promovuar një reflektim të madh mbi zhvillimin ekonomik dhe ndikimet e tij mbi jetën dhe dinjitetin e njerëzve. Kujtojmë sa u përhap dhe sa përshtypje bëri enciklika e Papës Leoni XIII ‘Rerum novarum’, në të cilën trajtohej gjendja dramatike e klasës punëtore dhe e mjeteve të prodhimit industrial të fundviteve ‘800. Sot, ashtu si atëherë, jemi të thirrur t’i ofrojmë botës së globalizuar një reflektim të përtërirë për një ekonomi solidare” dhe etike.

Bazilika e Shën Françeskut, Asizi
Bazilika e Shën Françeskut, Asizi
05 janar 2020, 09:50