Papa u uroi Vitin e Ri 2020 të gjithë njerëzve vullnetmirë
R. SH. - Vatikan
Ta ndjekim urimin e Atit të Shenjtë:
“Ju të gjithëve, të pranishëm këtu, në Sheshin e Shën Pjetrit e të lidhur përmes mediave, ju drejtoj përshëndetjet e mia të paqes e të mirave për Vitin e Ri.
Falënderoj Presidentin e Republikës Italiane, të Nderuarin Sergio Mattarella, për urimin që më drejtoi në mesazhin e fundvitit e ia kthej duke kërkuar bekimin e Zotit për misionin e tij të lartë.
Përshëndes me përzemërsi pjesëmarrësit në manifestimin “Paqe në të gjitha tokat”, organizuar nga Shën Egjidi në Romë e në një mori qytetesh të botës. Përshëndes shtegtarët nga SHBA-ja , Zelanda e Re e nga Spanja; të rinjtë italianë, shqiptarë e maltezë, së bashku me Motrat e Dashurisë; miqtë e vullnetarët e “Fraterna Domus”.
E shtrij përshëndetjen dhe inkurajimin tim mbi të gjitha nismat për paqen që po organizojnë Kishat e veçanta e lëvizjet kishtare për paqen: takime, lutjeje e vëllazërimi, shoqëruar me solidaritetin ndaj më të varfërve. Posaçërisht kujtoj marshimin e organizuar dje pasdite në Ravenë.
Mendimi im shkon edhe tek shumë vullnetarë, që janë me guxim të pranishëm, pa dhunë e pa armë, në viset ku kërcënohen paqja e drejtësia; ashtu si edhe tek ushtarakët, që veprojnë në misionet e paqes, në shumë nga zonat e konfliktit.
Të gjithëve, besimtarë e jo besimtarë, u uroj të mos pushojnë kurrë së shpresuari në një botë me paqe, që duhet ta ndërtojmë së bashku ditë për ditë. Ju lutem, mos harroni të luteni për mua! Drekën e mirë e mirupafshim!”.