International Libya Conference in Berlin International Libya Conference in Berlin 

Libia: Papa, nga Berlini paqe e stabilitet, stop dhunës

Papa Françesku mbështet bisedimet nё takimin e nivelit tё lartë nё Berlin kushtuar krizёs nё Libi, "haptë rrugën e një zgjidhje tё negociuar".

R.SH. - Vatikan

Gjithnjë gjatë lutjes së Engjëllit Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan, pas meditimit kushtuar Fjalës së Zotit të dielës së djeshme, Papa Françesku kujtoi situatën dramatike në Libi, e mbështeti Konferencën që pikërisht sot mbahet në Berlin mbi krizën në Libi, në të cilën marrrin pjesë përfaqësues të palëve në konflikt dhe të fuqive të ndryshme ndërkombëtare:

"Sot në Berlin mbahet një konferencë pёr tё diskutuar mbi krizën në Libi. Shpresoj shumë qё ky takim i nivelit tё lartё, kaq i rëndësishëm, të jetë fillimi i një rruge drejt ndaljes së dhunës dhe zgjidhjes sё negociuar që shpie paqen dhe stabilitetin kaq të dëshiruar pёr vendin".

Kështu Papa Françesku u shpreh rreth krizës së Libisë, të cilën e pati kujtuar edhe në fjalimin e tij të fundit, në fillim të vitit, para trupit diplomatik të akredituara ndaj Selisё së Shenjtë, më 9 janarin e kaluar nё Vatikan, kur foli për situatën tejet të rёndё në vendin e Afrikës sё veriut, qё, “prej shumë vitesh po përjeton një gjendje konfliktuale, rënduar nga sulmet e grupeve ekstremiste dhe nga ashpërsimi i mëtejshëm i dhunës edhe gjatë këtyre ditëve”. Ky kuadër, denoncoi Françesku, është “terren pjellor për plagën e shfrytëzimit dhe të trafikimit të qenieve njerëzore, ushqyer nga njerëz të paskrupull, të cilët shfrytëzojnë varfërinë dhe vuajtjet e atyre, që largohen nga konfliktet, ose nga varfëria e skajshme”. Ndër ta, “shumë përfundojnë pre e mafieve të vërteta, që i mbajnë në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese dhe i bëjnë objekt torturash, dhune seksuale e grabitjeje”.

Konferenca Ndërkombëtare e së dielës së 19 janarit shënoi një hap të parë drejt paqes në Libi, ndonëse dokumenti përfundimtar nuk u nënshkrua nga kryeministri i Libisë al-Sarraj dhe gjeneralit Haftar. Liderët botërorë janë shprehur në favor të një embargo armësh, e tani OKB-ja ka për detyrë mbikëqyrjen e respektimit të armëpushimit.

19 janar 2020, 16:09