Françesku: lufta sjell vetëm vdekje

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa nxiti për ta shmangur “hijen e armiqësisë”, duke kujtuar tensionet, që trondisin shumë rajone të botës. Prej këndej, edhe ftesa për t’u lutur, shumë, që fantazma e luftës të zhduket një herë e përgjithmonë nga rruzulli tokësor.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku shprehu shqetësimin e tij të thellë për ngjarjet, të cilat përjetohen sot në një mori vendesh të botës. Ngjarje ngarkuar me tension,  që krijon rrezikun e shkallëzimit të dhunës. Në përfundim të lutjes mariane, Ati i Shenjtë kujtoi se lufta sjell vetëm shkatërrim, gërmadha, vdekje. Është tepër e nevojshme, prandaj, të favorizohet dialogu ndërmjet palëve:

“Në vise të ndryshme të botës ndjehet fort klima e tmerrshme e tensionit. Klimë lufte! Po lufta sjell vetëm vdekje e shkatërrim. U bëj thirrje të gjitha palëve ta mbajnë ndezur pishtarin e dialogut e të vetëkontrollit e ta  shmangin hijen e armiqësisë. Të lutemi që Zoti të na e japë këtë hir”.

Situata ndërmjet SHBA-ve e Iranit

Vijon tensioni ndërmjet SHBA-ve dhe Iranit, pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani, gjatë një sulmi ajror nga ana e SHBA-ve mbi Bagdadin. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për punët e jashtme dhe politikën e sigurimit, Joseph Borrell, shprehu shqetësimin e tij të thellë lidhur me vijimin ndeshjeve në Irak, duke i nxitur palët për moderim, që të mund t’i vënë pritë shkallëzimit të mëtejshëm të dhunës. Borrel ftoi në Bruksel ministrin e jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif. Ndërkaq Washingtoni e Teherani duket se nuk e kanë fare ndër mend t’ia lëshojnë perin njëri tjetrit. Irani kërkon evakuimin e bazave ushtarake amerikane në të gjithë rajonin, duke siguruar se do të marrë hak, nëse nuk do t’i dëgjohet zëri e duke sqaruar edhe se ka zgjedhur 35 objektiva për t’i goditur. Nuk përjashtohet mundësia e sulmeve në ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon 20% e tregtisë botërore të naftës me rrugë detare. Londra e mori menjëherë seriozisht këtë kërcënim dhe u gatit t’i shoqërojë me roje ushtarake anijet, që lundrojnë me flamurin britanik. Nga ana e tij, presidenti Trump pohoi se, në rast sulmi, SHBA-të janë gati të nisin aksionin mbi 52 pika tejet të rëndësishme për kulturën iraniane. 52, aq sa ishin pengjet amerikane, sekuestruar nga Teherani më 1979. Në një twiter, ministri i jashtën iranian Zarif shkruan se “goditja e qendrave kulturore do të ishte krim lufte”.

Kisha Katolike kërkon dialog, jo dhunë!

Ndërkaq Kisha katolike në Lindjen e Mesme, të masakruar nga lufta e gjakderdhja, me gojën e Prijësve të saj, ndërmjet të cilëve, kardinali Sako e imzot Warduni, kërkon shmangien e rrezikut të luftës, të gjakderdhjes e të shkatërrimeve të reja, që shtojnë gërmadhë mbi gërmadhë, në këto vise ku tepër gjak është derdhur e tepër kryevepra të pazëvendësueshme, pasuri e mbarë njerëzimit, janë kthyer në rrënoja të frikshme. E pohojnë edhe se nuk kërkojnë tjetër, veçse t’u garantohet këtyre zonave, gjithnjë në luftë, “jetë normale, paqësore, e qëndrueshme, e sigurt”.

05 janar 2020, 15:14