Papa priti sot Ndihmëset Dioqezane të Milanos dhe Bashkëpuntoret Apostolike Dioqezane të Padovës dhe Trevizos. Papa priti sot Ndihmëset Dioqezane të Milanos dhe Bashkëpuntoret Apostolike Dioqezane të Padovës dhe Trevizos. 

Papa: të japësh jetën për njerëz konkretë, miq e armiq

Papa priti sot paradite në audiencë Ndihmëset Dioqezane të Milanos dhe Bashkëpunëtoret Apostolike Dioqezane të Padovës dhe të Trevizos, rreth 120 përfaqësuese. U foli lirisht Papa, duke ua dorëzuar tekstin e përgatitur, në të cilin u kujton se janë në shërbim të një populli jo të përgjithshëm, por me fytyrën e dioqezave të veta.

R. SH. - Vatikan

“Të japësh jetën për një bashkësi konkrete, me gëzimin e Ringjalljes e pasionin për njerëzit, duke bashkëpunuar me barinjtë në shërbim të popullit të Zotit, në famullitë, oratoret, burgjet, në të varfërit”. E nënvizoi këtë Papa Françesku në fjalimin e përgatitur, që ua dorëzoi Ndihmëseve Dioqezane dhe Bashkëpunëtoreve Apostolike Dioqezane të Padovës e të Trevizos, të cilat i priti në audiencë, duke iu drejtuar pastaj lirisht. Papa përshëndeti edhe ipeshkvijtë e meshtarët shoqërues e, në mënyrë të posaçme, kryeipeshkvin e Milanos, imzot Mario Delpini, për fjalët me të cilat e hapi këtë takim. Në tekstin e dorëzuar, Françesku nënvizon aspektin qëndror të identitetit të tyre: një nga format domethënëse të pranisë së grave në Kishë:

“Ky aspekt i besnikërisë jo ndaj një populli, parë në përgjithësi, po ndaj këtij populli, me historinë e vet, me pasuritë dhe varfëritë, është një tipar themelor i misionit të Jezu Krishtit, që Ati e dërgoi tek delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. E Ai, duke e dhënë jetën për të gjithë, e dha për këta njerëz konkretë, për këtë bashkësi, për këta miq e për këta armiq. Kjo besnikëri kushton, ka vrazhdësinë e Kryqit, por është e frytshme, përftuese, sipas planeve të Zotit”.

Papa foli kryesisht për përvojën e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me barinjtë në shërbim të njerëzve, e këtë e bëri duke kujtuar pikërisht Koncilin, dekretin e tij mbi Apostullimin e Laikëve, Apostolicam actuositatem që, kur flet posaçërisht për Veprimin Katolik, thekson se laikët veprojnë “nën drejtimin e vetë hierarkisë, që mund ta sanksionojë këtë bashkëpunim edhe përmes një mandati  të veçantë”.

Shqyrtimi i ipeshkvit dhe bashkëpunimi

Françesku e di, pastaj, se në atë, që e jeton këtë mision, nganjëherë të rëndë e të mundimshëm, Shpirti Shenjt mbjell dhurata të posaçme përkushtimi, që mund të çojnë edhe në dëshirën për t’iu kushtuar plotësisht shërbimit të Kishës. Rëndësi ka që ipeshkvi e meshtarët e ngarkuar nga ai, të bëjnë shoshitjen e duhur, ashtu si bënë me ju, në realitetet e ndryshme dioqezane: në Milano, Trevizo, Padovë, Viçencë –theksoi.

Por ka edhe forma të tjera të bashkëpunimit të grave në Kishë - nënvizoi akoma, duke vënë në dukje llojet e ndryshme të shërbimit të bashkëpunëtoreve, të cilat “Krishti i merr në mes të popullit e i dërgon përsëri tek populli”. Për ju - u tha Papa të pranishmeve - ky popull ka fytyrën  konkrete të dioqezës suaj, prandaj edhe të gjitha institutet që përfaqësohen këtu,  quhen “dioqezane”, emër që flet vetë për rrënjosjen, besnikërinë e përkushtimin ndaj dioqezave, larg mbylljes, partikularizmave e përjashtimit.

Gra të Ringjalljes

Në fjalimin e tij Françesku u ndalua edhe tek historia e Ndihmëseve Dioqezane, që në Milano nisi që në periudhën e ipeshkvnisë së Shën Giovanni Battista Montinit. Nuk lindën “në tavolinë”, por në përvojën e apostullimit të shoqërive, posaçërisht të Veprimit Katolik: atij apostullimi, për të cilin flet Dekreti konciliar mbi veprimtarinë e besimtarëve laikë.

Jo për “një feminizëm ante literam” Jezusi pranonte edhe disa gra ndërmjet dishepujve të tij - shpjegoi Papa Françesku - por pse Ati  dëshironte që t’i takonte këto motra, nevojtare për t’u shëruar, ashtu si edhe burrat. Ndërmjet tyre, Maria nga Magdala, me një karizëm të veçantë feje e dashurie për Zotin. Ajo, që në agimin  e Pashkëve e pa e para të ngjallur, duke u bërë kështu, Apostulle e apostujve”, e ngarkuar nga vetë Krishti për t’ua kumtuar ngjalljen vëllezërve. Por edhe gra të tjera patën prani vendimtare në rrëfimin e Ngjalljes - vërejti Papa - duke vënë në dukje  sa  e drejtë është të thirren me emrin e bukur, që ua ngjiti pikërisht kryeipeshkvi Montini “Gra të Ringjalljes”.

14 dhjetor 2019, 16:38