Papa Françesku, në qendër të edukimit: qytetaria aktive, njeriu, ambienti
R. SH. - Vatikan
Papa ia kushtoi njërën nga audiencat e sotme, në Vatikan, një përfaqësie të Fondacionit “A Chance In Life”. Duke pasur parasysh sfidat dhe mjetet teknologjike, që ka në dispozicion shoqëria e sotme, Françesku vuri në dukje disa elemente themelore lidhur me edukimin e breznive të reja:
“Është themelore t’i edukosh breznitë e reja me frymën e qytetarisë aktive, që vë në qendër njeriun e, njëkohësisht, kujdeset edhe për mjedisin. Edhe risitë teknologjike duhet të bashkëpunojnë për këtë qëllim, e janë pikërisht breznitë e reja, nëse të mirëpërgatitura, që mund ta realizojnë, sepse të lindura e të rritura në kontekste teknologjike”.
Frymëzimi nga “Lëvduar qofsh”
Papa Françesku e vlerësoi shumë dëshirën e Veprës për t’u përtërirë, “që të bëhet, kështu, më e aftë në kryerjen e misionit të saj”, duke u frymëzuar edhe nga porositë e Letrës Enciklike “Lëvduar qofsh”, për një ekologji të gjithanshme, që ka si objektiv zhvillimin e njerëzimit e të gjithësisë.
Si lindi Fondacioni “A Chance In Life”
Në Romë, në përfundim të Luftës II Botërore, ndërmjet njerëzve të dërmuar nga konflikti, ishin edhe njëqind mijë fëmijë të mbetur rrugash, pa familje e pa strehë. Pikërisht në këto rrethana, në udhët e shkreta të kryeqytetit, historitë e këtyre vogëlushëve u ndërthurën me atë të John Patrick Carroll-Abbing, prift i ri irlandez i cili, në vend të karrierës së shkëlqyer diplomatike, vendosi - me bekimin e Papës Piu XII - t’i kushtohet kujdesit për jetimët. Në fillim nisi të organizojë pranë Stacionit Termini, një strehë për t’i mbledhur aty fëmijët e rrugës, që gjatë ditës u lustronin këpucët kalimtarëve. Pastaj, së bashku me Dom Antonio Rivoltan, themeloi Republikën e të Rinjve të Civitavecchia-s e, më 1953, Qytetin e të rinjve të Romës.
Stili edukativ
I frymëzuar nga natyra e pavarur dhe e vendosur e shumë prej këtyre të miturve, themeluesi e shikon vetëqeverisjen, si thelb i jetës së Qytetit të të Rinjve. Të rinjtë e fëmijët thirren qytetarë, e ky është hapi i parë për edukimin me frymën e besimit, të kompetencave e të përgjegjësisë, që të mund ta drejtonin ata vetë qytetin e tyre. Në rrjedhë vitesh, Qytetet e Djemve e Vajzave përhapen në mbarë Italinë, për të arritur, më pas, edhe në vende si Etiopia, Bolivia, Kolumbia, Guatemala e Peruja. Sot, përmes këtyre qyteteve, vetëm në Itali ndihmohen më se 30 mijë të rinj e të reja. Më 5 tetor të vitit 2016, organizata “pagëzohet” me emrin e ri “A Chance In Life”(Një Mundësi Në Jetë) për të nderuar vizionin pa kufij të themeluesit dhe organizimin e punës me frymëmarrje ndërkombëtare.