Papa Françesku paraqet librin e atë Angel Fiorito Papa Françesku paraqet librin e atë Angel Fiorito 

Papa: atë Fiorito, njeriu që të mësonte si të bëhesh mik i Zotit

Revista e jezuitëve “Qytetërimi Katolik” (Civiltà Cattolica), boton, nën kujdesin e atë Josè Luis Narvaja, “Shkrimet” e atë Miguel Ángel Fiorito, jezuit argjentinas, vdekur më 2005, një nga mjeshtrat e mëdhenj të përshpirtërisë së Shoqërisë, mësimet e të cilit formuan brezni të tëra jezuitësh latinoamerikanë, duke përfshirë edhe Françeskun. Vëllimet, me parathënien e Papës, që u paraqiten sot pasdite nga vetë Ati i Shenjtë, paraprihen nga fjalët: “Shkrimet e tij janë dhuratë e ‘do t’i bëjnë shumë mirë mbarë Kishës’”.

Sonte, në orën 18.30, në Sallën e Kongregacionit të Përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit, Papa Françesku paraqiti 5 vëllimet e shkruara nga atë Miguel Ángel Fiorito, ati i tij shpirtëror. Duke paraqitur përmbajtjen e 5 vëllimeve të botuara nga “La Civiltà Cattolica”, Papa Françesku, që ka shkruar edhe parathënien e tyre, u la hapësirë kujtimeve personale dhe ato të shkollës së këtij mësuesi të madh, të cilin e përshkroi si njeri plot durim e respekt, si njeri i dialogut dhe i shoshitjes:

“Shkrimet e Fioritos pikojnë mëshirë shpirtërore: mësime për ata që nuk dinë, këshilla të mira për ata që kanë nevojë, korrigjim për ata që bëjnë gabime, ngushëllim për ata që ndihen të trishtuar dhe ndihmë për ta ruajtur durimin, edhe në mjerim, “pa bërë kurrë ndryshime”, siç thotë shën Injaci. Të gjitha këto hire mblidhen bashkë dhe sintetizohen në një vepër të madhe mëshire shpirtërore, që është shoshitja. Ajo na shëron nga sëmundja më e trishtuar, që ka nevojë për dhembshuri: verbëria shpirtërore, e cila na pengon të kuptojmë kohën e Zotit, kohën e vizitës së Tij”.

Nuk është hera e parë që Françesku nënshkruan parathënien e ndonjërit nga mjeshtrat e shpirtit të tij dhe të shumë të rinjve jezuitë argjentinas e uruguajanë. Që në vitin 1985 pati pranuar t’i paraprijë librit  të dytë, shkruar nga atë Miguel Ángel Fiorito, titulluar “Shqyrtim e luftë shpirtërore”, duke vërejtur, ndërmjte tjerash: “Shqyrtim shpirtëror do të thotë të kemi guxim të shikojmë gjurmët hyjnore, në fytyrat tona njerëzore”. Sepse pikërisht këtë bëri gjithë jetën atë Fiorito: “ndjeu e shijoi” hapat e Zotit në zemër e u mësoi sivëllezërve mënyrën si t’i ndjenin në gjithë thellësinë e tyre, duke ndenjur gjithnjë larg mashtrimeve të “shpirtit të lig”.

Në Shkollën e shpirtit

Tridhjetë e katër vjet më vonë, “nxënësi” Bergoglio u bë mëkëmbës i Krishtit, po koha nuk mundi ta shlyejë mirënjohjen  për mësimet  që mori nga “Mjeshtri i moçëm Fiorito”, siç e quanin jezuitët. E dëshmon vendimi  i Papës për t’i paraqitur pesonalisht, të premten e ardhshme, në orën 18.30, në Kurien e Përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit “Shkrimet e jezuitit argjenetinas” botuar nga “Civiltà Cattolica”, përmbledhur në 5 vëllime, nën kujdesin e atë José Luis Narvaja. Tri faqet e parathënies, nënshkruar nga Papa, janë shprehje e mirënjohjes së përhershme për burrin e madh që, me “Qendrën e tij të përshpirtërisë” dhe me “Buletinin”, kontribuoi  me qartësi të rrallë për përvetësimin e risisë së Koncilit nga provinca e tij rregulltare e, në veçanti, për zhvillimin e të ashtuquajturës “teologji e popullit”, me të cilën  thuret e gjithë shërbesa e Françeskut.

Nuhatja e “armikut”

Atë Fiorito - shkruan Papa - e kishte bërë të vetën një fjalë të urtë të Shën Pjetër Faber: “Një gjë është të mësosh, gjë tjetër komunikosh. E secila kërkon hir”. Hirin, që profesori argjentinas e kishte në shkallën më të lartë. “Shkrimet e tij - vëren Françesku - pikojnë mëshirë shpirtërore! Janë mësime për kë nuk di; këshilla të mira, për kë ka nevojë; korrigjime, për kë gabon; ngushëllim për të trishtuarin e ndihmë për të patur durim edhe në kulmin e pikëllimit”. Si jezuit i mirë, praktikonte me zell artin e ushtrimeve - posaçërisht në gjysmën e dytë të jetës së tij - duke ua këshilluar të gjithëve format e veta. Madje kishte zhvilluar - vëren akoma Papa - një aftësi të posaçme “për ta nuhatur” shpirtin e djallit; dinte ta dallonte veprimin e tij, përmes shijes së keqe e gjurmës së pikëllimit që lë pas Shejtani në kalim.

Flet, që të ngushëllon

Papa e rikujton figurën e Atë Fioritos të kacavarur në shkallën e bibliotekës së tij personale - një faqe e tërë muri prej gjashtë metrash me katër, duke gërmuar në njërën nga lëpizat përplot me “fletë”: skeda studimi, lutjesh e veprimtarish, atë që i duhej për t’ia dorëzuar “pa fjalë të tepërta” sivëllait, që i kish besuar ndonjë shqetësim, ose që e kish dëgjuar kur flitej për shkrimet e  tij.

Një e mirë për shumëkënd

Miguel Ángel Fiorito - vijon Papa - ishte  njeri, që dinte të dialogonte e të dëgjonte. I mësoi shumëkujt të lutej e të dialogonte miqësisht me Zotin, duke provuar gjithçka, por duke mbajtur për vete vetëm çka është e mirë”. Thënë me dy fjalë, ishte atë i dashur, mësues durimtar e, kur qe nevoja, edhe kundërshtar i vendosur, por gjithnjë respektues e i drejtë, kurrë armik, i aftë për të shqyrtuar “kohën e Zotit” në gjërat e edhe për të mësuar se pikërisht shqyrtimi është mjekimi më i mirë për verbërinë shpirtërore, këtë sëmundje të trishtë, që shërohet vetëm përmes veprimit hyjnor. Papa është i bindur se “këto shkrime do t’i bëjnë shumë mirë Kishës”. “Kanë lartësinë e një ëndrre të madhe”. Prej këndej uron që, “ashtu si në të kaluarën, kur lanë gjurmë në jetën e shumë shpirtrave, mendimet e ‘Mjeshtrit Fiorito’ të lëshojnë rrënjë, të çelin lule e të rrisin fruta në jetën e shumë njerëzve”.

13 dhjetor 2019, 16:17