Në kinema, “Papa ynë”: biografia e parë filmike e Françeskut

Do të shfaqet në sallat e kinemave italiane, me rastin e ditëlindjes së Papës, nesër, 17 dhjetor, filmi dokumentar titulluar “Papa ynë”. I realizuar sipas librit me të njëjtin titull, shkruar nga Tiziana Lupi, “është historia e familjes së Françeskut - siç na e shpjegon, në një intervistë, vetë autorja - rilexuar në dritën e tematikës themelore të Papnisë së tij: migrimit. Realizuar nga Italia, në bashkëpunim me Argjentinën, filmi dokumentar do të shfaqet në qytetet kryesore italiane.

R. SH. - Vatikan

“Papa ynë” është gërshetim i figurave historike, intervistave, kujtimeve publike e private të udhës së jetës, përshkuar nga Jorge Mario Bergoglio. Filmi dokumentar, që u paraqit këto ditë në Filmotekën e Vatikanit, u realizua sipas librit me të njëjtin titull, shkruar nga Tiziana Lupi, autore e tekstit të dokumentarit, në bashkëpunim me Leonardo Marinin dhe Marco Spagnoli-n.

“Krijimi ynë duket si përrallë - shkruajnë në notën e regjisë autorët - por nuk është kështu. Gjithçka pasqyrohet në film, i ndodhi me të vërtetë familjes së Françeskut edhe vetë Papës”.

Tregim mbi origjinën e Papës

Është, pra, tregim mbi origjinën e Papës: ngjarje të ndodhura qëkuri, por që tregohen sot - vijojnë autorët. Gjithçka dimë, ose besojmë se dimë për të, por edhe  kërkim emotiv e racional i domethënies së ngjarjeve, që tregojnë sesi biri i imigrantëve italianë është sot një nga zërat e shpresës, në një botë ngjyrë hiri, të sunduar nga pasiguria!

“Një burrë që, për angazhimin dhe përkushtimin e tij, meriton jo vetëm respekt e vëmendje, por edhe admirim të pakufishëm, pse i thjeshtë dhe i vendosur për ta ndryshuar gjendjen e të varfërve, të përvuajturve, të poshtëruarve, të vegjëlve, të ligshtëve, burrave e grave, që nuk i mbron asgjë e askush” - shkruhet në notën e regjisë.

Bashkëpunim i frytshëm

Materialet e çmuara nga arkivi i Institutit Luce, i arkivave të Vatikanit e, ndërmjet tjerash, i Fondacionit Ansaldo, gërshetohen me tregimin e gazetarit Massimo Minella, specialist i historisë së migrimeve nga Italia në Argjentinë ndërmjet viteve ‘800 e ‘900, me interpretimin e Iago Garcia,  që luan rolin e Jorge-s së ri e me kujtimet e dëshmitarëve si dhe vendet, ku kaloi ai, që do të bëhej Papa i 266-të i Kishës katolike. “Papa ynë” pra, përshkon gjithë historinë e familjes Bergoglio, duke nisur nga zanafilla e saj italiane e nga shtegtimi drejt Argjentinës, gjatë të cilit shpëtoi mrekullisht nga përmbytja, për të kaluar, më pas, tek fëmijëria, thirrja meshtarake dhe rritja e Mëkëmbësit të ardhshëm të Krishtit.

Dy data të rëndësishme: 16 e 17 dhjetor

Filmi është një bashkë-prodhim i Italisë dhe Argjentinës, realizuar nga Mario Rossini, për Red Film dhe Antonio Cervi, për Lazos de Sangre, në bashkëpunim me Rai Cinema. U shpërnda nga Instituti Luce-Cinecittà, për t’u shfaqur në qytetet kryesore italiane sot, 16, e nesër, 17 dhjetor, ditëlindja e Papës Bergoglio.

16 dhjetor 2019, 11:53