Migrantët: Papa nesër do të takohet, në Vatikan, me refugjatë të ardhur nga Lesbo
R. SH. - Vatikan
Nesër, pas audiencave të mëngjesit, Papa do të takojë disa refugjatë, ardhur kohët e fundit nga Lesbo me korridoret humanitare. Së bashku me ta, do të vendosë një kryq në hyrje të Pallatit Apostolik, nga Oborri i Belvederes, në Vatikan, në kujtim të emigrantëve dhe refugjatëve. Për këtë rast, njofton Vatikani, parashikohet edhe prania e mediave.
Qëllimi kryesor i kësaj audience është t’u ofrohet ngushëllim e mbështetje gjithë këtyre refugjatëve. E Papa Françesku ka nënvizuar shpesh herë se “refugjatët nuk janë numra, por janë njerëz: kanë fytyra, emra, histori e si të tillë edhe duhen trajtuar”. Kështu, edhe ky takim i nesërm me refugjatët, është një shenjë e mëtejshme e vëmendjes dhe dashurisë që Papa e me të edhe Kisha ka për fatin e mijëra njerëzve që janë emigrantë e refugjatë, të shpërfillur nga shoqëria bashkëkohore, por jo nga Krishti, që shkon t’i takojë e ndihmojë përmes dishepujve të vet.