Lutja e Papës për viktimat e tifonit në Filipine

Papa lutet për popullsitë e Filipineve, të dëmtuara nga tifoni. Falënderon edhe për mesazhet e urimit, që mori me rastin e Krishtlindjes.

R. SH. - Vatikan

Në festën e Shën Shtjefnit, kujtojmë gjithë martirët - këtë theksoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit.  “Festa e Shtjefnit Protomartir na kujton të gjithë martirët e djeshëm e të sotëm - që janë shumë - na nxit të ndjehemi në bashkim me ta e t’u kërkojmë hirin të jetojmë e edhe të vdesim me emrin e Krishtit në zemra e në buzë” – theksoi. Maria, Nëna e Jezusit, na ndihmoftë ta jetojmë këtë kohë Krishtlindjeje me sytë e ngulur tek Krishti, për t’u bërë çdo ditë e më shumë të ngjashëm me Të.

Krishtlindja të na ngjallë dëshirën t’u shërbejmë vëllezërve më nevojtarë

“Gëzimi i Krishtlindjes, që na i mbush zemrat plot, ngjalltë në ne dëshirën për ta kundruar Jezusin në Shpellën e Betelhemit, për t’i shërbyer, më pas, e për ta dashur në vëllezërit tanë” -  këto, fjalët me të cilat Papa e përfundoi lutjen e Engjëllit të Tënzot, në festën e  Shën Shtjefnit.

Papa falënderon për mesazhet e urimit, që mori për Krishtlindje

“Këto ditë - kujtoi Ati i Shenjtë - mora shumë mesazhe  me urime nga Roma e nga të katër anët e botës. Nuk mund t’u përgjigjem të gjithëve, por do të lutem për secilin”:

“E ju shpreh sot ju e të gjithëve, falënderimin tim të sinqertë - shtoi - posaçërisht për dhuratën e lutjes, që shumë prej jush më premtuan se nuk do ta harrojnë. Shumë faleminderit!”.

Papa lutet për popullsitë e Filipineve, të dëmtuara nga tifoni

“Marr pjesë në dhimbjen e popullit të dashur të Filipineve për shkak të tifonit Phanfone”

Kështu e kujtoi Papa popullsinë e Filipineve, pas kësaj tronditjeje të re, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, duke shtuar:

 “Lutem për viktimat e panumërta, për të plagosurit e për familjet e tyre - shtoi - I ftoj të gjithë të thonë bashkë me mua një Falemimri për këtë popull, që dua shumë”.

 

26 dhjetor 2019, 14:30