Papa Françesku në bazilikën e Zojës së Madhe Papa Françesku në bazilikën e Zojës së Madhe 

Papa u kthye nga udhëtimi në Azi. Lutja në bazilikën e Zojës së Madhe

Avioni që e ktheu Papën në Itali mbërriti në orën 16.13 në aeroportin romak të Fiumiçinos. Kështu përfundoi udhëtimi i 32-të apostolik në Tajlandë dhe Japoni, i cili filloi më 19 nëntor. Para se të kthehej në Vatikan, Françesku u ndal në Bazilikën e Zojës së Madhe për lutjen e falenderimit.

R.SH. - Vatikan

Pas më shumë se 12 orësh fluturimi, Boeing 787 i kompanisë japoneze ANA, që u largua nga Tokio kur në Evropë ishte ora 3.43, solli Papën Françesku, shoqëruesit dhe gazetarët, në aeroportin romak të Fiumiçinos, më parë nga sa pritej, në orën 16.13.

Përfundoi kështu udhëtimi i 32-të apostolik, që, për herë të katërt - pas Koresë (2014), Sri Lankës dhe Filipineve (2015), Myanmarit dhe Bangladeshit (2017) - e çoi Françeskun në Lindjen e Largët, së pari në Tajlandë dhe më pas në Japoni, në gjurmët e paraardhësit të tij të dashur, shën Gjon Palit II. Ishin ditë intensive, ditë takimesh, ceremonish, kremtimesh dhe dëshmish të fuqishme përgjatë tri vijave, në mbështetje të grigjës së vogël të katolikëve në të dyja vendet: inkurajimi për t’u takuar dhe për të dialoguar me fetë e tjera, promovimi i paqes dhe mbrojtja e jetës. Pati çaste prekëse, sidomos gjatë takimit me të mbijetuarit e bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, dhe me ata të katastrofës së trefishtë, në vitin 2011, në Fukushima.

Lutja në bazilikën e Zojës së Madhe

         Si zakonisht, në kthim nga udhëtimi i tij apostolik dhe para mbërritjes në Vatikan, Papa u ndal në Bazilikën e Zojës së Madhe, në Romë, për t’u lutur para ikonës së Shën Marisë Salus Populi Romani. Kështu njofton me një tweet, Salla e Shtypit e Vatikanit. Lutje e heshtur falenderimi, që Ati i Shenjtë e bën gjithnjë para e pas çdo udhëtimi, duke përtërirë kështu, një traditë të dashur për jezuitët dhe për papët.

26 nëntor 2019, 19:13