Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: atje ku ka egoizëm, nuk ka jetë!

Duke komentuar fragmentin e Ungjillit, propozuar nga liturgjia, Papa Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, foli për ringjalljen. Përmasa tokësore nuk është e vetmja, kujtoi, duhet të jemi gjithnjë në pritje të jetës së përtejme. Zoti e do jetën, e jeta, pohoi akoma Papa, është atje, “ku ka marrëdhënie të vërteta e lidhje besnike”

R. SH. - Vatikan

Ishte besimi në ringjalljen e të vdekurve, domethënë në jetën e pasosur, në qendër të fjalëve të Papës Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të kësaj së dieleje. Në fragmentin e sotëm ungjillor e shohim Jezusin duke dialoguar me disa seduçenj lidhur me ringjalljen, në të cilën ata nuk besonin. Prandaj i bëjnë një pyetje tinzake: “E kujt do të jetë, kur të vdesë e të ringjallet, një grua që pati shtatë burra, një pas një, të gjithë vëllezër, e të gjithë të vdekur njëri pas tjetrit?”. E Jezusi, duke e kuptuar hilen e tyre, u  kujton se të ringjallurit nuk marrin më as burra e as gra e se nuk mund të vdesin më, sepse ngjasojnë me engjëjt:

“Me këtë Jezusi i fton bashkëbiseduesit - e na fton edhe ne - të mendojmë se kjo përmasë tokësore, në të cilën jetojmë tani, nuk është e vetmja. Ka edhe një tjetër, që nuk i nënshtrohet më vdekjes. Në të duket plotësisht se jemi bij të Zotit”.

Çfarë do të ndodhë me jetën tonë?

Françesku pohoi se Fjalët e Jezusit për jetën përtej vdekjes, të japin  shpresë të madhe e ngushëllim të madh. E ne pikërisht për këtë kemi nevojë, posaçërisht në kohën tonë, kaq të pasur me njohuri mbi universin, por edhe po kaq të varfër me njohuri për jetën e amshuar. Siguria e ringjalljes - vijoi të shpjegojë Papa - e ka bazën në “besnikërinë e Zotit, që  është Zot i jetës”.  Pyetja më e thellë, e cila fshihet pas asaj të saduçenjve, është: “Ku do të shkojë kjo grua? Kujt do t’i përkasë jeta e saj?”:

“Është fjala për dyshimin, që e ka njeriu i të gjitha kohëve: pas shtegtimit tokësor, ç’do të bëhet me ne? Me jetën tonë? Do t’i përkasë asgjësë? Vdekjes?”.

Jeta është atje, ku ka marrëdhënie të vërteta

Jeta i përket Zotit - përgjigjet Jezusi. Është e Zotit, që na do e që lidhet ngushtë me ne. E Ai i Lumi nuk është zot i të vdekurve, por Zot i të gjallëve. Këtë theksoi Papa, e shtoi:

“Jeta gjallon atje, ku ka lidhje bashkimi, vëllazërimi; është më e fuqishme se vdekja, kur ngrihet mbi lidhje të vërteta besnikërie. Në të kundërtën, nuk mund të ketë jetë atje, ku ka pretendime për t’i përkitur vetëm vetvetes e për të jetuar vetëm për vete: kjo nuk është jetë, po egoizëm. Domethënë, vdekje. Unë jetoj vetëm për vetveten, pra, mbjell vdekje në zemrën time”

Papa përfundoi me një lutje drejtuar Marisë, që të na ndihmojë të jetojmë gjithnjë në pritje të ringjalljes nga të vdekurit e të jetës së vërtetë. Ku nuk ka më vuajtje, as lot!

E porositi: “Priteni jetën e pasosur!”.

10 nëntor 2019, 14:23