Papa lutet në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe për shtegtimin e tij në Azi
R. SH. - Vatikan
Në prag të shtegtimit të tij të 32-të apostolik drejt Azisë, Papa Françesku shkoi, sot paradite, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, për t’u gjunjëzuar në lutje para ikonës së Marisë Salus Populi Romani. Papa është shumë i lidhur shpirtërisht me këtë bazilikë, të cilën e ka vizituar disa herë. Vizitën e parë tek Zoja, Papa e bëri menjëherë pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit, më 14 mars 2013. Kjo ishte dalja e tij e parë nga Vatikani. E, më pas e bëri zakon të shkojë e të lutet para Zojës së mrekullive, para e pas shtegtimeve të tij jashtë Italisë.
Homazh Marisë, Salus Populi Romani
Sa herë që e viziton, Papa vë një tufë me lule poshtë ikonës dhe gjunjëzohet në lutje përballë Salus Populi Romani (Shpëtimi i Popujve Romakë) brenda kapelës Borghese (që njihet edhe me emrin Paoline). Në ikonën e Virgjërës me Krishtin Fëmijë në krahë, shikon fenë e popullit të Zotit, që për shekuj e shekuj u shtrëngua rreth Zojës në çastet më të vështira (për shembull, gjatë epidemive të kolerës), për të pritur një shenjë nga qielli, me besimin e plotë se “Çka është e pamundur për njeriun, nuk është aspak e pamundur për Zotin!”.
Ikona e Salus Populi Romani, tejet e dashur për Papët dhe Jezuitët
Kjo figure shenjte ka qenë gjithnjë shumë e dashur për jezuitët (Shën Injaci e kremtoi Meshën e tij të parë pikërisht në Shën Marinë e Madhe), e edhe për Papët. Piu XII e nderoi kur shpalli dogmën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në vitin 1950. Ikona qe e pranishme në Tor Vergata, në gusht të vitit 2000, me rastin e Ditës Botërore të Rinisë. E me këtë rast Gjon Pali II ua besoi të rinjve, së bashku me kryqin, që ta shikonin të gjithë se “Maria është Nënë e fuqishme, që të prin kah Krishti”. Pikërisht Gjon Pali II, qysh në fillim të papnisë, ndezi poshtë ikonës një llambë që ndriçon ditë-natë, për të dëshmuar devocionin e tij të madh ndaj Zojës.
E sot, mbi elter, nën dritën e ndezur nga Gjon Pali II, bie në sy tufa me lule e Françeskut, i cili pas pak do të jetë në avionin që fluturon drejt viseve të largëta të Azisë.