1574669470168.JPG

Françesku: të kapërcehet konkurrenca për fitimin dhe të pranohet gjithnjë jeta

Papa Françesku kremtoi sot meshën në Tokyo Dome, gjatë vizitës së tij në Japoni, si edhe ftoi t’i rishikojmë vendimet tona të përditshme, që të mos bllokohemi në kërkimin e suksesit me çdo kusht. Pastaj, ripohoi shenjtërinë e jetës, e cila duhet marrë “ashtu siç vjen”, edhe me brishtësitë dhe papërsosuritë e saj.

R.SH. - Vatikan

Të jeni “tharm profetik” në një shoqëri, e cila “e mbron dhe kujdeset gjithnjë e më shumë për çdo jetë”, “bashkëpunon dhe dialogon” me të gjithë, madje edhe me njerëzit me fe tjetër. Kjo ishte këshilla e Papës Françesku për të krishterët e Japonisë, pjesë e “një shoqërie me ekonomi shumë të zhvilluar”, ku, vërejti Ati i Shenjtë, “nuk janë të paktë” njerëzit, “që mënjanohen”. Në Tokyo Dome, stadium i mbuluar në lindje të kryeqytetit japonez, Françesku përshëndeti më se 50 mijë besimtarë, ndjeu ngrohtësinë e tyre të sinqertë, u ndal, puthi e bekoi fëmijët dhe të sëmurët, madje, edhe fotografitë, që të afërmit e ndonjë të pamunduri i kishin marrë me vete për Papën. Më pas, kremtoi meshën në latinisht për dhuratën e jetës njerëzore, sipas temës së këtij udhëtimi apostolik.

Suksesi nuk arrihet me karrierizëm

         Papa reflektoi mbi pjesën ungjillore të liturgjisë së sotme, marrë nga shën Mateu, ku kërkohet të mos shqetësohemi për të nesërmen - pjesë e Fjalimit të Jezusit në Mal, i cili përshkruan bukurinë e rrugës “që ftohemi të përshkojmë”. Sipas Biblës, pohoi Françesku, mali është “vendi ku Zoti duket dhe i lë njerëzit ta njohin”.

“Një mal, maja e të cilit nuk arrihet me vullnetarizëm ose karrierizëm, por vetëm me dëgjimin e vëmendshëm, të durueshëm dhe delikat të Mësuesit”.

Rreth vicioz

         Në Jezusin, kujtoi Ati i Shenjtë, gjejmë një “jetë të re”, në të cilën “provojmë lirinë e bijve të dashur”.

“Megjithatë, jemi të vetëdijshëm për faktin se, gjatë rrugës, kjo liri e bijve mund të mbytet dhe të dobësohet kur mbetemi të burgosur në rrethin e mbrapshtë të ankthit dhe të konkurrencës, ose kur e përqendrojmë të gjithë vëmendjen dhe energjitë tona më të mira në kërkimin e ethshëm dhe frenetik të rezultateve dhe në konsumizmin, si kriter i vetëm për të matur dhe vërtetuar vendimet, ose për të përcaktuar se kush jemi dhe sa vlejmë. Një masë, që gradualisht na bën të pandjeshëm ndaj gjërave të rëndësishme, duke e nxitur zemrën të rrahë për gjëra të sipërfaqshme e të kota. Sa shumë e shtyp dhe e prangos shpirtin, ankthi e besimi se gjithçka mund të prodhohet, mund të fitohet e të kontrollohet!”

Pengesë për një shoqëri të harmonishme

         Jezusi, theksoi Papa, na fton “të mos kemi frikë dhe të besojmë”, sigurisht, pa lënë mënjanë “ç’ndodh përreth nesh e pa harruar punën dhe përgjegjësitë e përditshme”. Me një “provokim”, ai na fton të shohim drejt horizonteve më të gjera.

         “Zoti nuk na thotë se nevojat themelore, si ushqimi dhe veshmbathja, nuk janë të rëndësishme; përkundrazi, na fton t’i rishikojmë vendimet tona të përditshme, që të mos bllokohemi në kërkimin e suksesit me çdo kusht, madje edhe me çmimin e jetës. Qëndrimet e kësaj bote, të cilat kërkojnë dhe ndjekin vetëm përfitimin personal, si edhe egoizmi, që kërkon vetëm lumturinë individuale, në të vërtetë, na bëjnë të pakënaqur dhe na skllavërojnë, përveçse pengojnë zhvillimin e një shoqërie vërtet të harmonishme dhe njerëzore”.

Dëshmia

         Kjo ftesë e Zotit na kujton se bota, “plot jetë dhe bukuri”, është para së gjithash një “dhuratë e mrekullueshme” e mirësisë së Krijuesit, për t’u ndarë me të tjerët, jo sikur të ishim pronarët e saj, por si “pjesëmarrës në të njëjtën ëndërr krijuese”, siç shpjegohet në Enciklikën “Laudato si’”.

“Përballë këtij realiteti, si bashkësi e krishterë ftohemi të mbrojmë çdo jetë dhe të dëshmojmë me urti e guxim një stil të karakterizuar nga dhurimi falas e nga dhembshuria, nga bujaria dhe nga dëgjimi, një stil të aftë për ta përqafuar dhe për ta pranuar jetën, ashtu si paraqitet, “me gjithë brishtësinë dhe vogëlsinë e saj, madje, shpesh, edhe me të gjitha kundërshtitë dhe mungesën e kuptimit”.

Në përfundim të meshës, Papa Françesku i kërkoi edhe Kishës në Japoni të bëhet “spital fushor”, për t’u ofruar të gjithëve udhën e faljes e të pajtimit me Zotin, duke mjekuar plagët e secilit, pa e gjykuar, siç bën Ati Qiellor me bijtë e vet.

25 nëntor 2019, 14:57