Papa Françesku dhe Domenico Gianni Papa Françesku dhe Domenico Gianni 

Papa pranon dorëheqjen e komandantit Gianni: gjest, që e nderon

Dorëheqja e komandantit të xhandarmërisë së Vatikanit, Domenico Gianni, vjen pas botimit të paligjshëm të një komunikate nënshkruar prej tij, lidhur me pezullimin nga shërbimi të disa eksponentëve të organizmave të Selisë së Shenjtë. Vlerësimi i Papës Françesku për komandantin.

R.SH. - Vatikan

Domenico Giani, komandant i Trupit të Xhandarmërisë së Vatikanit, “ia dorëzoi mandatin e tij Atit të Shenjtë, në frymën e dashurisë dhe të besnikërisë ndaj Kishës dhe Pasardhësit të Shën Pjetrit”. Kjo lexohet në deklaratën e sotme të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

Giani e mori këtë vendim, thuhet në njoftimin për shtyp, “pavarësisht se nuk ka asnjë përgjegjësi subjektive lidhur me çështjen” e publikimit “të një Dispozite të rezervuar Shërbimi, nënshkruar nga komandanti i Trupit të Xhandarmërisë”, në disa organe shtypi, më 2 tetorin e kaluar. Kjo Dispozitë kishte të bënte me “pasojat e disa kufizimeve administrative për personelin e Selisë së Shenjtë”. Publikimi, nënvizohet në komunikatën vatikanase, “dëmtoi rëndë dinjitetin e personave të përfshirë në çështje dhe imazhin e Xhandarmërisë”.

Me dorëheqjen e tij, Giani synon të “garantojë qetësinë e duhur për vazhdimin e hetimeve të koordinuara nga Promotori i Drejtësisë dhe të zbatuara nga personeli i Trupit të Xhandarmërisë, meqenëse akoma nuk ka dalë autori material i nxjerrjes së Dispozitës së shërbimit jashtë” Vatikanit. Kujtojmë se bashkë me Dispozitën, janë publikuar edhe fotografitë e të hetuarve, por, në të vërtetë, ajo u drejtohet vetëm anëtarëve të Xhandarmërisë dhe të Rojes Papnore Zvicerane.

“Duke pranuar dorëheqjen - lexohet në komunikatë - Ati i Shenjtë foli për një kohë të gjatë me komandantin Giani dhe shprehu vlerësimin e tij për këtë gjest, duke theksuar se ai ishte shprehje lirie dhe ndjeshmërie institucionale, që e nderon personin dhe shërbimin e tij, kryer me përvujtëri dhe maturi për Ministerin Pjetrin dhe Selinë e Shenjtë. Papa Françesku deshi edhe të kujtonte besnikërinë e tij të padiskutueshme njëzet vjeçare dhe nënvizoi se, duke treguar në mënyrën më të mirë stilin e tij të dëshmisë në çdo anë të botës, komandanti Giani diti të krijojë dhe të garantojë përreth Papës një atmosferë të vazhdueshme natyrshmërie dhe sigurie”.

“Duke përshëndetur dr. Domenico Giani - përfundon deklarata - Ati i Shenjtë e falënderoi edhe për kompetencën e lartë, që ka treguar në vënien në jetë të shërbimeve të shumta e delikate në kuadrin ndërkombëtar, si edhe për nivelin e profesionalizmit të padiskutueshëm, ku e çoi Trupin e Xhandarmërisë”.

Të shtunën e kaluar, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, në një prononcim për agjencinë italiane të lajmeve Ansa, pati thënë se për Papën Françesku, “botimi i paligjshëm” i asaj Dispozite shërbimi “është i krahasueshëm me një mëkat mortar, pasi dëmton dinjitetin e personave dhe cënon parimin e supozimit të pafajësisë”.

14 tetor 2019, 17:22