Mesha e Papës në Shën Martë Mesha e Papës në Shën Martë 

Papa në Shën Martë: në luftën ndërmjet së mirës e së keqes, të zgjedhim shëlbimin.

Duke u ndaluar tek Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve, Françesku vërejti se në shpirtin e të gjithëve vijon lufta e vazhdueshme ndërmjet hirit e mëkatit. Prej këndej, na fton të pyesim veten nëse vendimet tona “vijnë nga Zoti, apo diktohen nga djalli”. Duke u ndaluar një ças në fund të ditës, për të rrëmuar zemrën.

R. SH. - Vatikan

“T’i kërkojmë Zotit dritën, për ta njohur mirë çka ndodh 'brenda' nesh". Kjo, lutja e Papës në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Duke reflektuar mbi Leximin e Parë, shkëputur nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve, Françesku u ndalua posaçërisht tek lufta e brendshme, e vazhdueshme e Apostullit të Popujve ndërmjet dëshirës për të bërë mirë e paaftësisë për t’i ndihmuar njerëzit. Luftë e ashpër, që zhvillohej në shpirtin e  tij”.

Luftë, që e luftojmë të gjithë

Ndokush - kujtoi Françesku - mund të pyesë nëse, duke e bërë të keqen, që nuk e donte, Shën Pali mund të ketë përfunduar në ferr, mund të jetë mundur nga e keqja: ndërsa, si e dimë të gjithë, është shenjt, sepse edhe shenjtorët nuk i shpëtojnë kësaj lufte brenda vetes. Është ligj për të gjithë, luftë e përditshme:

“Luftë ndërmjet së mirës e së keqes; jo së mirës abstrakte, së keqes abstrakte; ndërmjet së mirës, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt e prirjes për të bërë keq,  frymëzuar nga shpirti i së keqes. Është luftë! Luftë, që duhet ta përballojmë të gjithë. Nëse ndonjëri nga ne do të thoshte: ‘Po unë nuk e ndjej këtë, unë jam i lum, jetoj i qetë, nuk e ndjej…’, unë do t’i thosha: ‘Ti nuk je i lum: ti je i anestetizuar, njeri që nuk e kupton ç’ndodh”’.

Jetë rruge

Në këtë luftë të përditshme - shtoi Papa - sot ne mund të korrim një fitore, po nesër do të ketë një luftë tjetër, e pasnesër, një tjetër akoma, “deri në fund të fundit”. Papa kujtoi edhe martirët, që deshën të luftonin deri në fund, për ta ruajtur fenë. E kujtoi sidomos shenjtorët, si Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, në shpirtin e së cilës lufta më e rrebtë qe ajo "e çastit të fundit”, në shtratin e vdekjes, ngaqë e ndjente se “shpirti i keq” donte ta shkëpuste nga Zoti. Ka çaste “të jashtëzakonshme lufte” - vërejti Papa -por edhe çaste të zakonshme, të përditshme. E këtu Françesku kujtoi Ungjillin e Lukës, në të cilin Jezusi u thotë turmave e, edhe ne, të gjithëve: “Hipokritë! Dini të njihni dukuritë e qiellit dhe të tokës, e nuk ditkeni të njihni këtë kohë?”:

“Shumë herë ne, të krishterët, jemi të zënë me një mijë sende, edhe të mira; po nuk e dimë ç’po ndodh brenda nesh. Kush na e frymëzon atë, që po bëjmë? Kush na shtyn ta bëjmë? Jeta jonë zakonisht është si jeta e rrugës; ecim nëpër rrugën e jetës…kur ecim rrugës, shikojmë vetëm sendet që na interesojnë; të tjerat nuk i vërejmë fare”.

Hiri e mëkati

Lufta - vijoi të shpjegojë Françesku - është ndeshje. Ndeshje ndërmjet hirit e mëkatit, ndërmjet Zotit, që dëshiron të na shpëtojë e të na e largojë tundimin, e shpirtit të keq, që të rrëzon, për të të nënshtruar. Prej këndej, Papa na ftoi të gjithë ta pyesim veten nëse jemi njerëz rruge, që shkojnë e vijnë pa vërejtur aspak ç’ndodh rreth nesh, nëse vendimet tona vijnë nga Zoti, apo diktohen nga egoizmi ynë, domethënë, “nga vetë djalli”:

“Ka rëndësi të dish ç’ngjet brenda teje. Rëndësi, të jetosh pakëz ‘përbrenda’ e të mos e lësh shpirtin rrugash, ku kalojnë të gjithë. ‘E si mund të bëhet kjo, o Atë?’. Para se të perëndojë dita, ndalu dy tre minuta. Pyete veten ç’gjë e rëndësishme ka ndodhur brenda teje! Oh, po, pata një çast inati, e edhe një tjetër përgojimi; bëra këtë e atë vepër bamirësie… Kush më ndihmoi t’i bëj këto gjëra, si të këqija, ashtu edhe të mira? Duhet t’i bësh këto pyetje, për të ditur çfarë po ndodh në shpirtin tënd. Nganjëherë, me shpirtin llafazan, që e kemi të gjithë, e dimë çfarë ndodh në rrugë, në lagje, në shtëpinë e fqinjit, po nuk e dimë aspak çfarë ndodh brenda nesh!”.

Prej këndej, porosia e Papës: “Të ndalemi e ta rrëmojmë ca çaste shpirtin, nëse duam të dalim fitimtarë në luftën e përditshme ndërmjet së mirës e së keqes, ndërmjet Zotit e djallit, nga e cila nuk shpëtojnë as shenjtorët”.

25 tetor 2019, 12:24