Katolikë vietnamezë në Japoni Katolikë vietnamezë në Japoni 

Japoni: katolikët vietnamezë presin me gëzim Papën Françesku

Katolikët japonezë presin me padurim udhëtimin apostolik të Papës Françesku në Tajlandë dhe Japoni, planifikuar nga 19 deri më 26 nëntor.

R.SH. - Vatikan

Katolikët e Azisë presin me padurim Papën Françesku, i cili do të vizitojë bashkësitë e Tajlandës dhe të Japonisë, nga 19 deri më 26 nëntor. Sipas statistikave të vitit 2018, besimtarët katolikë në Japoni janë 444.893 vetë, 0,3 % e popullsisë. Në disa dioqeza, besimtarët e huaj janë më të shumtë se ata japonezë. Prandaj, nënvizon At Giuseppe Dinh Thanh Nha, jezuit përgjegjës për rininë vietnameze në Japoni, përdoret shprehja “Kisha në Japoni” dhe jo “Kisha japoneze”. Imigrantët katolikë, shpjegon rregulltari, ende nuk kanë zë në veprimtaritë e Kishës lokale. Në shumicën e rasteve, bashkësia e të huajve nuk është e integruar. Megjithatë, vitet e fundit, mesha e kremtuar në gjuhë të ndryshme është bërë urë komunikimi ndërmjet japonezëve dhe të huajve, që jetojnë në vend.

Katolikët vietnamezë në Japoni

         Bashkësia katolike në Japoni përbëhet kryesisht nga refugjatë, të ashtuquajturit “boat people”, që kanë ardhur në vend me barka, ndërsa të tjerët janë studentë ose studentë-punëtorë. Ka 90 grupe të rinjsh katolikë vietnamezë, të cilët po sjellin një pranverë të re në Kishën lokale. Në majin e vitit të kaluar, më se 30 grupe morën pjesë në Takimin e të rinjve katolikë vietnamezë me temë: “Ta rrezatojmë fenë”. Atë Nha njofton se qindra të rinj janë regjistruar për të marrë pjesë në vizitën e Papës në Japoni. 50 mijë vendet në stadiumin e Tokios janë të pamjaftueshme në krahasim me kërkesat. Prandaj, Komitetit organizator iu desh t’i zgjedhë njerëzit me short. E nuk qe e mundur t’u jepet leje për të marrë pjesë atyre, që nuk banojnë në Japoni.

Një vizitë baritore në favor të jetës

         Udhëtimi në Japoni është dëshirë e hershme e Papës Françesku. Kur ishte i ri, ai donte të shkonte në këtë vend si misionar. Ati i Shenjtë do të vizitojë Tokion, ku do të takojë perandorin dhe kryeministrin Shinzo Abe. Pastaj, do të udhëtojë për në Nagasaki dhe në Hiroshima, dy qytetet e shkatërruara nga bomba atomike, gjatë Luftës II Botërore. Papa e ka mirë parasysh se Kisha në Japoni përballet me shumë sfida. Këto përfshijnë shekullarizimin, problemin e imigracionit dhe ekologjinë. Motoja e vizitës është: “Të mbrohet e gjithë jeta”.

30 tetor 2019, 13:13