Françesku: të dëgjohet britma e Irakut, duke kërkuar zgjidhjen e sfidave e të problemeve
R. SH. - Vatikan
Një jetë të denjë e të qetë! Dialog, pajtim e zgjidhje të drejta, për të jetuar në paqe e stabilitet në të gjithë Irakun! Këtë kërkoi Papa Françesku, në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit.
Manifestime proteste
Papa mendon për vendin e shumëdashur ku - kujton - manifestimet e protestës, nisur në fillim të tetorit kundër korrupsionit dhe papunësisë masive, shkaktuan vdekjen dhe plagosjen e një mori njerëzish: mendohet të jenë më shumë se 250, manifestuesit e vrarë në Bagdad dhe në qytete të tjera, në jug të vendit:
“Ndërsa shpreh ngushëllimet për viktimat dhe afërsinë për familjet e tyre, i ftoj Autoritetet ta dëgjojnë britmën e popullsisë, që kërkon një jetë të denjë e të qetë. I nxit të gjithë irakianët që, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, të ecin në rrugën e dialogut e të pajtimit e të kërkojnë zgjidhje të drejta për sfidat dhe problemet e vendit. Lutem që ky popull i martirizuar të mund të gjejë paqe e stabilitet, pas viteve të gjata, ngarkuar me luftë, dhunë, vuajtje”.
Raporti i OKB-së
Një Raport i OKB-së, kushtuar kësaj situate, flet për të drejta njerëzore të nëpërkëmbura, duke kujtuar vrasjen e manifestueseve të paarmatosur dhe përdorimin e tepruar të forcës nga ana a njësive ushtarake, të radhitura për t’u dhënë fund protestave në Irak kundër demonstruesve që - duke sfiduar gjatë natës ndalimin e zjarrit, denonconin, ndërmjet tjerash, korrupsionin, për plaçkitjen zyrtare të shumës 410 miliard euro nga fondet publike. Dokumenti i Misionit të asistencës i Kombeve të Bashkuara në Irak, shpreh shqetësimin edhe kundër prirjes për t’i kufizuar informacionet lidhur me demonstratat dhe paditë kundër arrestimeve të dhunshme, kërcënimeve e keqtrajtimeve. “Klima e frikësimit është e padenjë për një shoqëri të hapur e demokratike, siç duhet të jetë ajo e Irakut”, nënvizohet në raport, duke kujtuar edhe se “Iraku ka bërë shumë rrugë e, prej këndej, është themelore të mos rrezikohen rezultatet e arritura”. OKB-ja fton të merren masa konkrete për lejimin e manifestimeve paqësore, duke i mbrojtur ata që marrin pjesë në protesta e duke e ftuar qeverinë e Bagdadit të japë udhëzime të reja për dënimin e kujtdo që dhunon e shpërdoron.