Anija Spital Papa Françesku Anija Spital Papa Françesku 

Letra e Papës për arritjen e Anijes-Spital në Lumin e Amazonave

Papa Françesku shkruan një Letër, për të përshëndetur arritjen e Anijes- Spital me emrin e tij, në Belem, kryeqytet i Shtetit Pará, në veri të Brazilit. Është spitali më i mirëpajisur lumor në vend, që do t’u ofrojë mjekime e shtrime, pa harruar punën parandaluese për ruajtjen e shëndetit, 700 mijë banorëve përgjatë Lumit të Amazonave, duke u çuar edhe Fjalën e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Një Letër papnore e priti mbrëmë arritjen e Anijes-Spital “Papa Françesku” në Belem, në veri të Brazilit. Anija, e përuruar korrikun e  kaluar, u nis nga Porti i Obidos, në të njëjtin shtet. Sajues i nismës, së bashku me rregulltarët e Vëllazërisë së Shën Françeskut të Asizit, të cilët drejtojnë spitalin në Rio de Janeiro, është imzot Bernardo Bahlmann, ipeshkëv i Obidos. Prelati nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit, për shkak të një morti.

Françesku: nismë për të mbrojtur jetën

Në Letrën e tij, Papa shpreh gëzimin dhe mirënjohjen ndaj Hyut  për nisjen e veprimtarisë së këtij spitali lumor “që do të çojë Fjalën e Zotit e do t’i ndihmojë për një shëndet më të mirë popullsitë më nevojtare, posaçërisht popullsistë indiane dhe banorët e brigjeve lumore, që jetojnë gjatë rrjedhës së Rio delle Amazzoni - Lumit të Amazonave, në një gjatësi prej 1.000 kilometrash". Janë më se 700 mijë banorë të zonave amazonike, që mund të arrihen vetëm me rrugë lumore, në shtetin brazilian Pará. Papa Françesku, që e mbështeti fort këtë nismë, duke i ndjekur nga afër fazat e realizimit të saj, nënvizon në Letër domethënien e fortë  të spitalit, në prag  të Sinodit të ardhshëm të Ipeshkvijve për Amazonën. E, sidomos, shkruan:

“Përgjigje e dërguar nga Zoti, që vijon t’i nisë dishepujt për të shpallur Mbretërinë e Tij e për të shëruar të sëmurët”.

Misioni i Anijes-Spital do të jetë shpëtimi i shëndetit të shpirtit e të korpit të banorëve që jetojnë në brigjet e lumit - kujton akoma Ati i Shenjtë në Letër - E të jetosh mirë, për popullsitë vendase të zonës do të thotë “të jetosh në harmoni me vetveten, me natyrën, me qeniet njerëzore e, sidomos me 'Qenien më të Lartë'” .

Shenjë feje e solidariteti

Françesku kujton edhe se Kisha është e thirrur të jetë spital fushor, t’i mirëpresë të gjithë, pa bërë kurrfarë dallimi e pa vënë kurrfarë kushti. Vëren, më pas, se me me këtë nismë, Kisha paraqitet tani edhe si “Spital mbi ujë”.

“E kështu - vijon - si Krishti, që u pa duke ecur mbi ujëra, duke qetësuar stuhinë e duke i përforcuar dishepujt në fe, kjo barkë do të çojë ngushëllim shpirtëror e qetësi ndërmjet burrave e grave nevojtarë, të shqetësuar, të braktisur në fatin e tyre”.

Në përfundim Papa u jep të gjithë atyre, që tani lundrojnë për të mbrojtur jetën në ujërat e lumit, Bekimin, duke ia besuar Zojës së Nazaretit e duke i ftuar të luten edhe për të e për fryte të begata në Sinodin e ardhshëm kushtuar Amazonës.

 

 

 

18 gusht 2019, 12:50