Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa: luftën nuk e sjell feja, por errësira e zemrave

Nuk është feja, ajo që e nxit dhe i prin luftës, por errësira e zemrave të atyre, që kryejnë akte të paarsyeshme”. Kështu shkruan Papa në një mesazh, me rastin e 25-vjetorit të atentatit terrorist të Buenos Ájres.

R. Sh. - Vatikan

“Nuk është feja, ajo që e nxit dhe i prin luftës, por errësira e zemrave të atyre, që kryejnë akte të paarsyeshme”. Kështu shkruan Papa në një mesazh me rastin e 25-vjetorit të atentatit terrorist të Buenos Ájres, në ndërtesat  ku qe vendosur Amia, Shoqata  e ndihmës reciproke Izraelito-Argjentinase dhe Delegacioni i Shoqatave Izraelite Argjentinase; atentat në të cilin humbën jetën 85 vetë, ndërsa 200 të tjerë mbetën të plagosur.

“Zoti na thirri të jetojmë së bashku, si vëllezër, e kjo vëllazëri na bashkon  përtej çdo kufiri gjeografik a ideologjk, për të ndërtuar, së bashku, familjen e madhe njerëzore” - kështu shkruan Papa. Në Letrën e Atit të Shenjtë nënvizohet se “kjo marrëzi nuk u kufizua vetëm në Argjentinë. Shumë e shumë herë, këto 25 vjet, pamë jetë të shkatërruara, në emër të fesë. Veç kësaj pohohet se këto sulme terroriste janë pjesë përbërëse e asaj, të cilën Papa na e kujton gjithnjë me emrin “lufta e tretë botërore e pjesëshme”, “vende-vende, copa-copa”, që ndizet e shuhet herë në një skaj e herë në një tjetër, duke marrë forma nga më të ndryshmet. Nuk njeh kufij dhe e tregon kudo fytyrën e vet të shëmtuar:

 “Kjo luftë e tretë botërore shndërroi mijëra nuse në vejusha, mijëra fëmijë në jetimë, mijëra njerëz të gjallë, në të vdekur. Dhe e gjithë kjo, në emër të Zotit, duke e blasfemuar emrin e Tij të Shenjtë”.

E në përfundim, thirrja për ta mbrojtur paqen kudo e kurdoherë:

“Paqja nuk do të duhej të ishte vetëm një e drejtë, sigurimi i saj  duhet të jetë detyrë e secilit nga ne - përfundon Papa – duke u ngarkuar gjithë njerëzve vullnetmirë detyrën ta sigurojnë e ta mbrojnë paqen pa kufij”.

12 korrik 2019, 15:41