Papa ipeshkvijve të Afrikës dhe të Madagaskarit: “Vijoni të jeni misionarë të Ungjillit!”.
R. SH. - Vatikan
“Shërbim i çmuar për Kishat afrikane, që ndihmojnë gjithë Kontinentin”. Kështu e quan Papa Françesku në një mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, Simpoziumin e Konferencave ipeshkvnore të Afrikës e Madagaskarit (Secam), që po kremton Jubileun e artë. Ngjarja është pjesë e plenares së koordinimit kishtar kontinental, me temë: “Kishë- Familje e Zotit në Afrikë, kremtoje jubileun tënd! Shpalleni Jezu Krishtin, Shëlbuesin tuaj!”.
Bashkim vëllazëror
Në tekstin, lexuar nga nunci apostolik në Ugandë, kryeipeshkvi Luigi Bianco, Papa i përshëndet të gjithë pjesëmarrësit në ngjarje - 40 delegacione, përfaqësuese të këtij realiteti - duke falënderuar Zotin për “hiret e shumta, marrë nga Secam si dhe për bashkimin vëllazëror, që karakterizoi angazhimin e këtyre 50-vjetëve, me nxitjen e fortë të Palit VI, Papa i parë, që shkeli në Afrikë më 31 korrik, deri më 2 gusht të vitit 1969, kur u përurua Simpoziumi,
Angazhim për ungjillëzimin
Françesku, që e vizitoi Ugandën në nëntor 2015, lutet që anëtarët e Secam “të mund të marrin forca të reja në veprimtarinë e tyre si dishepuj misionarë, për punën e madhe ungjillëzuese, duke u përpjekur që Ungjilli të depërtojë në çdo aspekt të jetës, për ta pasur të gjithë në zemër”. Pjesëmarrësit, së fundi, morën bekimin e Papës, si premtim për “paqen dhe gëzimin” në Zotin.
Fjala e kryeipeshkvit Rugambwa
Duke folur në këtë takim të madh e duke i sjellë mesazhin e Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kryeipeshkvi Protase Rugambwa, sekretar i të njëjtit dikaster, kujtoi se “krijimi i Secam qe e mbetet shenjë e vërtetë e Zotit për Kishën në Afrikë”. Lajmin e jep Agjencia Fides. “Organizmi - vijoi prelati - mund të bëhet forcë e madhe për ardhmërinë e Kishës në kontinent”. E në vijim uroi që jubileu të jetë rast për të reflektuar mbi përtëritjen shpirtërore e baritore, për një Kishë që mbetet “burim shprese për popullsinë afrikane”.