Papa pret  Fortlumturinë e Tij  Sviatoslav Shevchuk, Kryeipeshkëv i Madh i  Kyiv– Halyc (Ukrainë) Papa pret Fortlumturinë e Tij Sviatoslav Shevchuk, Kryeipeshkëv i Madh i Kyiv– Halyc (Ukrainë) 

Kisha greko-katolike ukrainase takohet me Papën, në Vatikan

Dy ditë takimesh, në situatën delikate e të ndërlikuar të Ukrainës, me nismën e Papës, që dëshiron t’i japë një shenjë konkrete afërsie kësaj bashkësie katolike lindore.

R. SH. - Vatikan

Filloi sot, në Vatikan, takimi i Kishës greko-katolike ukrainase, me nismën e Papës Françesku. Në këtë ngjarje të rëndësishme, që do të përfundojë nesër, marrin pjesë kryeipeshkvi i madh greko-katolik i Kiev-Halyč, Svjatoslav Shevchuk, anëtarët e Sinodit të përhershëm dhe metropolitët, së bashku me eprorët e Dikastereve të Kuries Romake kompetente për vendin.

Komunikata e shtypit, më 4 majin e kaluar

Në një komunikatë të Sallës vatikanase të Shtypit, më 4 majin e kaluar, pohohej: “Lidhur me situatën delikate e të ndërlikuar, në të cilën ndodhet Ukraina (…) Ati i Shenjtë dëshiron t’i japë një shenjë afërsie Kishës greko-katolike ukrainase, që kryen misionin e saj baritor si në atdhe, ashtu edhe në vende të ndryshme të botës. Ky takim do të jetë edhe rast për thellimin e analizës së situatës dhe të nevojave të Ukrainës, me qëllim që të përcaktohen mënyrat me të cilat Kisha katolike e, në veçanti, ajo greko-katolike, do të mund t’i kushtohet gjithnjë më frytshëm predikimit të Ungjillit, t’u japë ndihmesën e vet atyre që vuajnë, të promovojë paqen e, për sa është e mundur, edhe mirëkuptimin me Kishën katolike të ritit latin e me Kishat dhe bashkësitë e tjera të krishtera.

Misioni humanitar në Ukrainë, sipas dëshirës së Papës

Papa Françesku e ka pasur gjithnjë për zemër këtë vend të tronditur nga konflikti, që vijon prej pesë vjetësh. Në vitin 2016 ndërmori një nismë humanitare për Ukrainën, me pjesëmarrjen aktive të Kishave katolike të Evropës, të besimtarëve nga të katër anët e botës si dhe të organizatave ndërkombëtare, për të ndihmuar konkretisht, duke ua plotësuar nevojat më të ngutshme banorëve të trojeve të dëmtuara nga lufta.

Lutja për paqen

Të shumta, thirrjet e Papës Françesku për Ukrainën. Në Mesazhin e Pashkëve, më 21 prillin e kaluar, Papa pati uruar:

“Në këto Pashkë, u ngushëlloftë popullsia e rajoneve lindore të Ukrainës, që vuan përsëri për shkak të konfliktit, ende në vijim. Zoti i inkurajoftë nismat humanitare si dhe ato që synojnë sigurimin e  një paqeje afatgjatë”.

Marrëdhëniet me ortodoksinë

Më 21 janarin e kaluar Papa Françesku pati pritur imzot Claudio Gugerotti-n, nunc në Ukrainë, duke u ndaluar tek një komunikatë e nunciaturës mbi marrëdhëniet delikate të brendshme të ortodoksisë, mbi kontributin që japin Kishat katolike në Ukrainë për të mirën e vendit, mbi atmosferën politike e shoqërore e, në veçanti, mbi nevojën që të bëhet çdo përpjekje për thellimin e paqes, të dialogut dhe të mirëqenies së qytetarëve, duke u angazhuar për përmirësimin e kushteve të jetesës të të gjithëve si dhe për ushtrimin e lirisë fetare”.

Nisma humanitare në Ukrainë

Më  7 janarin e këtij viti, duke pritur Trupin Diplomatik, Papa pati kujtuar nismën humanitare në Ukrainë, në favor të popullsisë së vuajtur:

“Kisha dhe institucionet e saj të ndryshme do ta vijojnë misionin e tyre, me synim që të tërheqin sa më shumë vëmendjen edhe mbi çështjet e tjera humanitare, ndërmjet të cilave, ajo që ka të bëjë me të burgosurit, të shumtë edhe sot e kësaj dite. Me veprimtarinë dhe afërsinë ndaj popullsisë, Kisha kërkon të inkurajojë, drejtpërdrejt e edhe tërthorazi, udhët paqësore për zgjidhjen e konfliktit, udhë që respektojnë drejtësinë e ligjshmërinë, duke përfshirë edhe atë ndërkombëtare, bazë për sigurinë dhe bashkëjetesën në gjithë rajonin. Për këtë qëllim, kanë rëndësi mjetet, që garantojnë ushtrimin e lirë të të drejtave fetare”.

Vëllazëri e miqësi

Këto , fjalët e Françeskut në mesazhin e Krishlindjes, dhjetor 2018:

“Zoti, që lind, e ngushëlloftë Ukrainën e dashur, në pritje të ankthshme për  rifitimin e paqes së qëndrueshme, e cila po vonon të vijë. Vetëm me paqen, që respekton të drejtat e çdo kombi, vendi mund të marrë frymë lirisht, pas vuajtjeve të mëdha të pësuara e të rikrijojë kushte dinjitoze jete për qytetarët e vet. Jam pranë bashkësive të krishtera të këtij Rajoni e lutem  që të mund të krijojnë lidhje vëllazërimi e miqësie”.

Kardinali Turkson në Ukrainë

Në nëntor 2018, në Ukrainë ishte me mision kardinali Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm njerëzor, së bashku me zëvendës-sekretarin, imzot  Segundo Tejado Muñoz.

Takim me bashkësinë greko-katolike në Romë

Më 28 janar 2018, Papa Françesku u takua me bashkësinë greko-katolike të Ukrainës,  në Bazilikën e Shën Sofisë, në Romë. Këto, disa nga fjalët që u drejtoi të pranishmëve, me këtë rast:

“Erdha këtu për t’ju thënë se jam pranë jush: pranë me zemër, pranë me lutje, pranë kur kremtoj Eukaristinë. Aty i lutem Princit të Paqes që të heshtin armët. I kërkoj edhe që të mos keni më nevojë të bëni flijime të  jashtëzakonshme, për t’i mbajtur të dashurit tuaj”.

05 korrik 2019, 12:24