Papa Françesku Papa Françesku 

Veprimtaritë javore të Papës dhe të Kishës

Disa nga ngjarjet më të rëndishme të javës, që sapo kaloi

R.SH. - Vatikan

Ati i Shenjtë Françesku priti dje në audiencë pjesëmarrësit e Forumit Ndërkombëtar të të Rinjve, i cili u mbajt në Vatikan, duke filluar nga data 19 qershor, për tri ditë me radhë. U fol për Sinodin kushtuar rinisë dhe për ndikimin e tij mbi Kishat vendore, për Nxitjen post-sinodale të Papës Françesku “Christus vivit”, ndërsa vetë të rinjtë dëshmuan për kontributin e tyre konkret në jetën e Kishës. 

 Po dje, Papa priti anëtarët e Federatës ndërkombëtare të Shoqatave të Mjekëve Katolikë, mbledhur në Romë që nga 21 qershori, për të kremtuar kushtimin e tyre Zemrës së Krishtit. Te premten, në Universitetin Papnor Urabanian, ata kaluan një ditë me lutje, meditim e studim.

Pasdite, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku kremtoi meshën për shugurimin ipeshkvnor të imzot Alberto Ricardo Lorenzelli, emëruar më 22 maj, ipeshkëv ndihmës i kryedioqezës së Santiagos së Kilit. Lindur në Isidro Casanova të Argjentinës, më 2 shtator 1953, hyri në Shoqërinë Saleziane të shën Gjon Boskos më 8 shtator 1972. Mori kushtet e përjetshme më 1977. Pas Seminarit të Madh në Fassolo të Italisë, saleziani, tashmë ipeshkëv, ndoqi fakultetin e teologjisë në Universitetin Papnor Urbanian dhe u specializua në Shkencat e Psikologjisë në Universitetin Papnor Salezian, në Romë. U shugurua meshtar më 24 janar 1981 e, më pas, kreu detyra të ndryshme e të rëndësishme në Itali e në Kili. Nga viti 2018, është epror i Bashkësisë Saleziane në Vatikan dhe kapelan i Drejtorisë së Shërbimeve të Sigurisë e të Mbrotjes Civile në Shtetin e Vatikanit.

Në Madrid, në katedralen e Zojës Mbretëreshë të Almudenës, prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Becciu, kremtoi meshën për lumnimin e Maria Carmen Lacaba Andìa dhe 13 shoqeve të saj, rregulltare të Urdhërit Françeskan të Zojës së Papërlyer.

 Motra spanjolle Maria del Carmen (në shekull, Isabella Lacaba Andía) dhe 13 simotrat e kongregatës së Françeskaneve Koncepsioniste, u njohën si martire, sepse u vranë për shkak të urrejtjes kundër fesë, gjatë Luftës Civile në Spanjë. Dhjetë prej tyre u pushkatuan më 8 nëntor 1936 pranë Madridit. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë. Jetonin në kuvendin e Las Rozas, afër kryeqytetit, i cili u pushtua nga milicët republikanë. Të përzëna në korrik 1936, murgeshat kërkuan strehim në Madrid, por u zbuluan nga bandat e anarkistëve, që i rrëmbyen duke i poshtëruar e keqpërdorur, për t’i bërë ta mohonin fenë. Pastaj, i troturuan deri sa i dënuan me vdekje.

Shpirti Shenjt “është mjeshtër i bashkimit”, e bën Kishën të rritet, duke e ndihmuar të shkojë përtej kufizimeve njerëzore e të kapërcejë “çdo shkandull”. Këtë nënvizoi Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke vijuar ciklin e katekizmit kushtuar “Veprave të Apostujve”, sot vuri në qendër të vëmendjes Rrëshajët.

Të premten, Papa Françesku shkoi në Napoli, nga ku bëri një thirrje të fuqishme për një teologji të mikpritjes, bazuar në dialogun me të tjerët dhe në kumtimin e Ungjillit, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie vëllazërore ndërmjet popujve të Mesdheut. Fjalimi i tij u dha fund ditëve të reflektimit, që u mbajtën në Fakultetin Papnor të Teologjisë në Italinë Jugore,  me temë “Teologjia pas ‘Veritatis Gaudium’ në kontekstin e Mesdheut”. Për një koment, të dëgjojmë jezuitin, atë Mario Imperatore, i cili ka qenë drejtor i Seminarit Ndërdioqezan të Shkodrës e aktualisht banon e punon në Napoli…

Dëgjo atë Mario Imperatorin...
23 qershor 2019, 10:26