Papa në Napoli: Letër nga studentët e teologjisë
R. SH. - Vatikan
Titullohet “Para se të bërtasin gurët”, letra, që një grup studentesh, kryesisht gra e laike, ndërmjet njëzet e dyzet vjetësh, ia dërgoi Papës në prag të vizitës së tij në Napoli, në universitetin e tyre, e pikërisht në Fakultetin Teologjik Papnor të Italisë Jugore, seksioni i Shën Luigjit, mbi kodrinën Posillipo. Françesku do të jetë mes profesorëve, seminaristëve e studentëve italianë e të huaj në 21 qershor, paradite, për t’i drejtuar fjalën e mbylljes Kuvendimit dyditor, organizuar nga Universiteti, me titull: “Teologjia pas Veritatis gaudium, në kontekstin e Mesdhetut”. Studentet ëndërrojnë të marrin, me këtë rast, nga Papa, një përshëndetje të veçantë, të shkurtër, por me thellësinë, që karakterizon gjithnjë fjalën e Françeskut, me qenë se Papa do të arrijë në orën 09.00 në Napoli e do të rikthehet në Vatikan menjëherë pas drekës me jezuitët e fakultetit.
Nisma u bë e njohur të shtunën e kaluar, në Napoli, përmes një konference shtypi, gjatë së cilës kryeipeshkvi i qytetit, kardinali Crescenzio Sepe dhe Dekani i Fakultetit, ati jezuit Pino Di Luccio, folën për hollësirat e fundit lidhur me vizitën e Papës.
Fjala-kyçe e takimit të shumëpritur është “përtëritje”. Teologet e reja - sipas letrës - kërkojnë përtëritje të teologjisë e edhe të mendësisë mbi rolin e laikëve e, sidomos, të grave, në studimin e teologjsë e në impenjimin e krishterë ndër periferitë e harruara.