Papa shpreh shqetësimin për tensionet në Gjirin Persik.
R. SH. - Vatikan
Ja si u shpreh Françesku, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, për situatën e ndezur në Gjirin e Omanit:
“Ndjek me shqetësim thellimin e tensionit në Gjirin Persik. I ftoj të gjitha palët të përdorin mjetet e diplomacisë për të zgjidhur problemet e konfliktit në Lindjen e Mesme. I përsëris edhe bashkësisë ndërkombëtare thirrjen e ngutshme të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për të favorizuar dialogun e paqen”.
Këto, fjalët e Papës para lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Camerino, ku ishte për vizitë.
Të enjten e kaluar dy anije naftëmbajtëse, njëra japoneze e tjetra norvegjeze, u sulmuan në Gjirin e Omanit. Shtetet e Bashkuara ia ngarkojnë përgjegjësinë për aksidentin Iranit, ndërsa Teherani mohon çdo lidhje me këtë ngjarje. Atmosfera është tejet e nderë. Arabia Saudite, Emiratet Arabe dhe Mbretëria e Bashkuar mbështesin tezën amerikane e, në orët kur Papa shprehte shqetësimin për krijimin e kësaj situate, ambasadori britanik në Teheran thirrej nga autoritetet iraniane.