Papa, në Engjëllin e Tënzot: ta marrim Eukaristinë, si të ishte hera e parë

Në solemnitetin e Korpit dhe Gjakut të Krishtit, dhuruar për shpëtimin e botës, Françesku kujtoi Meshën, që do ta kremtojë sonte, në lagjen romake Casal Bertone, pasuar nga procesioni me të Shenjtnueshmin Sakrament. Papa kujtoi edhe Maria Carmen Lacaba Andia me 13 motrat e Urdhërit Françeskan të Zojës së Papërlyer, lumnuar në Madrid.

R. SH. - Vatikan

Ta rijetojmë “mahnitjen” dhe “gëzimin”, për dhuratën e mrekullueshme të Zotit, Eukaristinë. Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, e rikujtoi kështu festën e Korpit e Gjakut të Krishtit, që kremtohet sot në Itali, në viset shqiptare e në shumë vende të tjera të botës:

“Ta pranojmë me mirënjohje, jo në mënyrë pasive, të rëndomtë! Nuk duhet të mësohemi me Eukaristinë e të shkojmë për ta marrë sa për të bërë zakonin: Jo! Sa herë që t’i afrohemi altarit për të marrë Kungimin, duhet t’ia përsërisim vërtetësisht ‘amen-in’ tonë Korpit të Krishtit. Kur Meshtari thotë ‘Korpi i Krishtit’, ne themi ‘amen’: po duhet të jetë ‘amen’, që buron nga zemra, që thuhet me bindje. Sepse po marr në zemër Jezusin, që më shëlboi; Jezusin, që më jep forcë për të jetuar. Jezusin, Krishtin e gjallë! Pa e shikuar kurrë si zakon, por si të ishte Kungimi im parë”.

Logjika e ndarjes së përbashkët

Françesku u ndalua sot tek Ungjilli i Lukës e tek mrekullia “tejet e rëndësishme” që - shpjegoi - tregohet nga të gjithë Ungjilltarët: tek ajo e bukëve dhe e peshqve, e cila ndodh në brigjet e Liqenit të Galilesë. Jezusi ushqen turmën e uritur, që nuk ka ç’të hajë, i ndjekur nga mahnitja e dishepujve:   

“Zoti i fton dishepujt e vet të bëjnë kthesë të njëmendtë: të kalojnë nga logjika ‘gjithkush për vete’, në logjikën ‘gjithkush për të gjithë’. Kjo është logjika e ndarjes së përbashkët, duke u nisur nga më e pakta, që na vë në dispozicion Provania Hyjnore”.

Pushtet e mëshirë

 Jezusi - vijoi Françesku - i merr në duart e veta pesë bukët e dy peshqit, ngre sytë drejt Atit Qiellor dhe shqipton lutjen e bekimit. Menjëherë pas, nis t’i thyejë bukët, t’i ndajë peshqit e t’ua japë dishepujve, të cilët ia shpërndajnë turmës. E kjo shujtë nuk mbaron as atëhere, kur të gjithë e kanë shuar plotësisht urinë! Mrekulli, që tregon pushtetin e Mesisë e, njëkohësisht, mëshirën e Tij të pacak për njerëzit:

“Ky gjest mahnitës jo vetëm që mbetet një nga shenjat e mëdha të jetës publike të Jezusit, por i paraprin edhe asaj, që do të ndodhë më pas, në fund, kujtimit të flijimit të tij, Eukaristisë, sakramentit të Korpit e Gjakut të Tij, dhuruar për shëlbimin e botës. Eukaristia përmbledh gjithë jetën e Jezusit në një akt të vetëm dashurie ndaj Atit e vëllezërve”.

Procesioni i Corpus Domini

Në prag të mundimeve të Tij - kujtoi akoma Françesku - Jezusi e merr përsëri bukën në duar, i larton Atit lutjen e bekimit, e thyen e ua jep dishepujve të vet; e të njëjtën gjë bën edhe me verën, duke lënë, në këtë gjest "Testamentin e Besëlidhjes së re e të amshuar, si përkujtim i përhershëm i Pashkëve të veta, i vdekjes e i ringjalljes”.  E shprehje e besimit eukaristik të popullit shenjt të Zotit - shtoi Françesku - janë edhe procesionet me të Shenjtnueshmin Sakrament, që kremtohen në këtë ditë kudo në kishat katolike:

 “Edhe unë sonte, në lagjen romake të Casal Bertones, do të kremtoj Meshën, që do të pasohet nga procesioni. I ftoj të gjithë të marrin pjesë, edhe shpirtërisht, përmes radios e televizionit. Zoja na ndihmoftë për ta ndjekur pas me fe e dashuri Jezusin, që e adhurojmë në Eukaristi”.

Koncepsionistet e Lume, dëshmitare të fesë heroike e të shpresës

Pas lutjes mariane, Papa kujtoi se dje, në Madrid, u shpallën të Lume Maria Carmen Lacaba Andía me 13 simotra të Urdhërit françeskan të Zojës së Papërlyer, vrarë nga urrejtja kundër fesë, gjatë persekutimit fetar ndërmjet viteve 1936 -1939:

“Këto motra të klauzurës, si Virgjërat e kujdesshme, e prisnin me fe heroike arritjen e Dhëndrit Hyjnor. Martirizimi i tyre është ftesë për ne të gjithë, që të jemi të fortë e ngulmues, posaçërisht në orën e provës”.

Përshëndetjet

Në përfundim, Papa i përshëndeti besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërmjet tyre, edhe shtegtarët e ardhur nga Liverpool, organizuar nga Motrat e Zojës së Namur.

23 qershor 2019, 14:06