Corpus Domini Corpus Domini  

Corpus Domini, në Magjisterin e Papëve

Jezusi e theu bukën dhe e mbushi kupën me verë, pak orë para se të vdiste për mbarë njerëzimin: misteri i Eukaristisë i ofrohet tani meditimit tonë e përshpirtërisë popullore, në festën e Korpit e Gjakut të Krishtit. Po kujtojmë sot, lidhur me këtë festë të madhe, Magjisterin e Papëve të mëdhenj të së kaluarës së afërt.

R. SH. - Vatikan 

“Nga pikëllimi i së Enjtes së Madhe, kalojmë në gëzimin e festës së sotme, sepse dhurata e Jezusit u përket të gjithëve, pa përjashtuar askënd, e na kërkon t’i mbajmë portat të hapura, jo të mbyllura”. Na e kujtoi Papa Benedikti XVI, në Meshën e Corpus Domini të 23 qershorit 2011:

“Festa e Corpus Domini është e pandarë nga e Enjtja e Madhe, nga Mesha e Darkës së Mbrame, në të cilën kremtohet solemnisht themelimi i Eukaristisë. Ndërsa në mbrëmjen e së Enjtes së Madhe rijetohet misteri i Krishtit, që na ofrohet ne përmes bukës së thyer e kelkut të mbushur, sot, në festën e Korpit të Krishtit, i njëjti mister i propozohet Popullit të Zotit për adhurim e meditim, e i Shenjtnueshmi Sakrament mbartet me procesion udhëve të qyteteve e të fshatrave, për të treguar se Krishti i ngjallur ecën mes nesh e na prin drejt Mbretërisë së Qiellit. Atë, që Jezusi  na e dhuroi në intimitetin e Çenakullit, sot e manifestojmë hapur, sepse dashuria e Krishtit nuk u përket vetëm disave, por të gjithëve”.

Kalimi nga intimiteti i Çenakullit, në shpërthimin e gëzimit popullor për dhuratën e Eukaristisë, u nënvizua edhe nga Gjon Pali II, në prag të Jubileut të Madh. Në Festën e Korpit të Krishtit  të 11 qershorit 1998, Papa parashijonte gëzimin e hyrjes me entuziazëm të ri shpirtëror në Mijëvjeçarin e tretë:

“Heshtja e thellë e së Enjtes së Madhe e mbështjell sakramentin e Korpit e të Gjakut të Krishtit! Kënga e besimtarëve duket sikur nuk ia del mbanë ta përhapë me gjithë forcën e tij, e as manifestimet e tjera publike të përshpirtërisë eukaristike popullore(…). Prandaj Kisha ndjeu nevojën për një festë të veçantë, në të cilën të mund të shprehej më fuqishëm gëzimi për themelimin e Eukaristisë: lindi, kështu, më se tetë shekuj më parë, solemnitetit i ‘Corpus Domini’, me procesionet e mëdha eukaristike, që vënë në dukje ‘shtegtimin’ e Shëlbuesit në botë e në kohë (…), gjithnjë solidar me historinë e njerëzve”.

Historia e njerëzve pati jetuar, ndonjë dekadë më parë, një çarje të thellë ideologjike, me tensionet e Luftës së ftohtë. Në kulmin e kësaj periudhe, pak muaj para hapjes së Koncilit, duke kremtuar Corpus Domini të 21 qershorit 1962, Papa Gjoni XXIII pati theksuar, jo rastësisht, aspektin e unitetit që i jep misteri eukaristik Kishës. Duke pasur përballë Sheshin e Shën Pjetrit, me kolonatin madhështor të Berninit e me Shenjtorët më në zë përmbi të, Papa i Mirë pati theksuar:

“Ja: kupolës festive të Tempullit të madh i bëjnë kurorë dy krahët e kolonatit, mbi të cilin vijojnë të japin, në kohë, dëshminë e tyre, përmes shtatoreve prej guri, burrat e gratë më në shenjë të njëzet shekujve të krishterimit: martirë, dëshmitarë, doktorë. Fitorja Paqësore e Krishtit:  shërbimi universal i Kishës së tij, ngadhënijmi i unitetit e i paqes! Jemi këtu, e ndjehemi në prag  të Koncilit, që do të mblidhet në këtë Bazilikë, në tetorin e ardhshëm. Një fe e vetme, e përbashkët për të gjithë, një pjesëmarrje e vetme në gurrat e hirit, një rrahje e vetme zemre në lutje, në flijim e në punë, për emrin, mbretërinë e vullnetin e Zotit!”.

Një fe e vetme! E përbashkët për të gjithë! Mbi këtë gjurmë  ecën, pak vite më pas, në Corpus Domini të vitit 1969, Papa Pali VI, me mendimin  e ngulur gjithnjë tek të krishterët, të cilët nuk mund ta dëshmojnë haptazi fenë e tyre, ta ndjejnë së bashku gëzimin për dhuratën e Krishtit, sepse në vendet ku sundon socializmi real, e jo vetëm në Evropë, feja është e ndaluar, klandestine, e gjakosur, e martirizuar. 5 qershor 1969. Pak muaj më parë, përtej perdes së hekurt, përfundonte tepër shpejt stina e ngrohtë, por e shkurtër, pranvera e Pragës:

“Vërtet, Eukaristia synon të krijojë unitetin e besimtarëve; të besimtarëve, që jemi ne, të bashkuar të gjithë si vëllezër të botës. E kremtimi i  Eukaristisë është gjithnjë fillesa e bashkimit, e dashurisë së krishterë, jo vetëm në zemër, por edhe në praktikë. Prandaj dashuria, që gurron nga Eukaristia është rrezëlluese: pasqyrohet në zemra, në ndjenja, në bashkim, në falje: të bën ta kuptosh se duhet menduar edhe për nevojat e tjetrit, për të vegjlit, për të varfrit, për të sëmurët, për të burgosurit, për të mërguarit, për të vuajturit. Kjo dashuri të nxit të mendosh edhe për vëllezërit e largët,  bashkimi ende i papërkryer i të cilëve me Kishën katolike nuk i lejon  të mblidhen rreth së njëjtës sofër me ne, e na nxit të lutemi që ky çast të arrijë sa më shpejt”.

Pavarësisht nga mjerimet e historisë njerëzore, dhurata e Jezusit nuk mungon kurrë. E kujton këtë Papa Piu XII, në radiomesazhin për Kongresin e 13-të eukaristik italian, në Asizi, më 9 shtator 1951:

“I pranishëm është Jezusi në Sakrament, për të na dhënë Bukën mistike të qiellit, e jetën e atjelartë, botës sonë të varfër, duke përsëritur mrekullinë e virgjërave e të të thjeshtëve, mrekullinë e atij, që nuk ka asgjë - e ka gjithçka - mrekullinë  e dashurisë vëllazërore, që i duron të tëra fyerjet e i duket se nuk i ka bërë të gjitha, derisa të ketë mbetur qoftë edhe ndonjë gjë fare e vogël për t’u bërë”.

23 qershor 2019, 15:41