Takimi i Papës me romët dhe sintët Takimi i Papës me romët dhe sintët 

Papa, popullit rom: ecni përpara me dinjitet, pa mllefe

Lutje dhe dëshmi, në takimin e Papës Françesku me popullin rom e sint, në Sallën Regia, në Vatikan. Ati i Shenjtë nënvizoi se rruga e vërtetë për t’u përshkuar është ajo e vëllazërimit.

R.SH. - Vatikan

Kanë kaluar më se 50 vjet që kur shën Pali VI, nga Pomezia pranë Romës, u drejtonte romëve dhe sintëve këto fjalë: “Në Kishë, ju nuk jeni të mënjanuar, por, për disa aspekte, jeni në qendër, ju jeni në zemër të saj”. Sot, ato fjalë jehuan sërish në takimin e Papës Françesku me këtë popull endacak, në Sallën Regia, në Vatikan.

Problemi i distancës ndërmjet zemrës dhe mendjes

         Pasi dëgjoi disa dëshmi, Papa theksoi se problemi i vërtetë i shoqërisë me romët dhe sintët, para se të jetë politik e shoqëror, është i lidhur me një tip distance:

         “Ky është problemi i sotëm: ju më thoni se është problem politik, problem shoqëror, problem kulturor, problem gjuhe, por këto janë dytësore. Problemi i vërtetë është distanca ndërmjet mendjes e zemrës. Ky është problem largësie”.

Kush janë qytetarët e dorës së dytë

         Kjo distancë krijohet, kur njerëzit përkufizohen sipas stereotipeve, shpjegoi më tej Papa. Romët dhe sintët konsiderohen si qytetarë të dorës së dytë, por në të vërtetë, theksoi Ati i Shenjtë:

         “Qytetarët e vërtetë të dorës së dytë janë ata, që mënjanojnë njerëzit: këta janë të dorës së dytë, sepse nuk dinë të përqafojnë”.

Ecni përpara me dinjitet

         Papa i këshilloi ciganët të mos lejojnë t’iu shtohet mllefi në zemra, për shkak të qëndrimit negativ të të tjerëve ndaj tyre.

         “Ju kërkoj, ju lutem, të keni një zemër më të madhe, më të gjerë: pa mllefe. E të ecni përpara me dinjitet: me dinjitetin e familjes, të punës, me dinjitetin, me të cilin fitoni bukën e gojës. Kjo të bën të ecësh përpara… edhe dinjiteti i lutjes”.

Udha e vëllazërimit dhe e shpresës, që nuk zhgënjen

         Papa Françesku dënoi trajtimin e njerëzve, veçanërisht të ciganëve, si të ishin hedhurina. Udha e vërtetë për krijimin e marrëdhënieve të mira është ajo e vëllazërimit, nënvizoi, që duhet përshkuar me shpresën “konkrete në Zotin”, që nuk zhgënjen kurrë. Është shpresë vërtet konkrete, vijoi Papa, duke kujtuar përkushtimin e veçantë të popullit rom e sint për Zojën e Bekuar, “është grua, që sjell në jetë Birin e Hyjit”. Ajo e hedh farën e shpresës e, kështu, hap rrugë, krijon horizonte e jep shpresë.

Dëshmia e një meshtari dhe e tre nënave

         Para Papës, dha dëshminë e vet edhe një meshtar cigan, don Cristian Di Silvio. “Ajo, që e bëri të jashtëzakonshme historinë time të thirrjes – nënvizoi ai – është se e kuptova, pavarësisht se më thoshin të kundërtën, që nuk jam ndryshe, por si gjithkush këtu në sallë e jo vetëm këtu, jam unik dhe i papërsëritshëm”. Tre nëna rom, në dëshminë e tyre, kujtuan se nuk është e lehtë të gjesh punë në Itali, për shkak të stereotipeve mbi ciganët. Edhe vetë autoritetet mbyllin kampet rom, pa u dhënë njerëzve alternativa, por, nënvizuan ato, e shohim të ardhmen me shpresë, sepse jemi gra e nëna e s’mund të mos shpresojmë për bijtë tanë.

Në emër të Zefirinit, i lum cigan

         Romët dhe sintët në botë janë 36 milionë vetë, ndërsa në Evropë arrijnë në rreth 12 milionë. Në Itali, së paku, 170 mijë. Shenjti pajtor i popullsisë cigane është i lumi Zefirino Giménez Malla, terciar françeskan, pushkatuar në vitin 1936, gjatë Luftës Civile Spanjolle e hedhur në një varr të përbashkët, sepse mbrojti një meshtar dhe rruzaren e tij.

09 maj 2019, 14:41