Ekspozita Talitha Kum Ekspozita Talitha Kum 

Papa uron një ekspozitë dhe promovon fushatën kundër trafikut të njerëzve

Papa Françesku përuroi sot, në paradhomën e Sallës Pali VI në Vatikan, ekspozitën fotografike “Nuns Healing Hearts” (Murgeshat shërojnë zemra), e cila mban titullin e fushatës së filluar me rastin e 10-vjetorit të Rrjetit Botëror të motrave rregulltare, “Talitha Kum”, që lufton kundër trafikut të njerëzve.

R.SH. - Vatikan

Pamjet janë realizuar nga Lisa Kristine, fotografe amerikane, që dokumenton këtë impenjim. Menjëherë pas përurimit, Papa Françesku hyri në Sallën Pali VI për audiencën me 850 eproret e përgjithshme, nga 80 vende të ndryshme të botës, mbledhur në Romë për asamblenë e tyre me titull “Farë të shpresës profetike”.

Ekspozita, pak hapa larg Shën Pjetrit

         Ekspozita është realizuar në bashkëpunim me Seksionin për Migrantët dhe Refugjatët në Dikasterin për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, nën patronazhin e Fondacionit Galileo. Pas përurimit në Vatikan, ajo do të zhvendoset në selinë qendrore të Bashkimit të Eproreve të Përgjithshme (Uisg) në Romë, pak hapa larg Shën Pjetrit (Piazza di Ponte Sant'Angelo, 28), ku do të qëndrojë deri më 10 korrik 2019.

Ati i Shenjtë kërkoi fonde për murgeshat

         “Nuns Healing Hearts” është titulli i fushatës, që kremton 10 vjet pune të palodhur nga Rrjeti ndërkombëtar “Talitha Kum”. Ajo synon të tregojë fytyrën e vërtetë të trafikut të njerëzve, duke vënë në dukje përpjekjet, vuajtjet dhe gëzimin e motrave të përfshira në këtë impenjim. Papa Françesku, duke e nisur sot fushatën, përkrahu shpirtërisht murgeshat, që ato të vijojnë të kujdesen për viktimat e këtij trafiku dhe të kontribuojnë në parandalimin e tij. Ati i Shenjtë i bekoi fotografitë, të cilat do të mund të shihen edhe në format dixhital dhe, uroi që fushata të mbledhë sa më shumë fonde për murgeshat, që rrezikojnë edhe jetën në këtë mision delikat. Aktualisht, në betejën kundër trafikut njerëzor janë përfshirë rreth 2 mijë murgesha dhe bashkëpunëtorët e tyre në 76 vende të botës.

         Vetë fotografja amerikane, Lisa Kristine, pohoi se duke ndjekur motrat rregulltare në punën e tyre, vërejti se shpesh nuk kanë mjete të mjaftueshme, por vazhdojnë t’i ndihmojnë me përvujtëri e pa u lodhur ata, që kanë më tepër nevojë.

10 maj 2019, 14:54