Papa: pas Atë Ynë-së fillon ciklin e katekezës mbi Veprat e Apostujve
R.SH. - Vatikan
Pas katekizmit mbi uratën e Jezusit, ‘Atë Ynë-n’, në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, përpara rreth 17 mijë besimtarëve e shtegtarëve ardhur nga vendet e ndryshme, Papa Françesku hapi një cikël të ri katekizmi, kushtuar Librit të Veprave të Apostujve.
"Ky libër biblik, i shkruar nga Shën Luka Ungjilltar - tha Papa Françesku -, na flet për rrugëtimin e Ungjillit në botë dhe na tregon gërshetimin e mrekullueshëm ndërmjet Fjalës së Zotit dhe Shpirtit Shenjt që përuron kohën e ungjillëzimit. Protagonistët në Veprat e Apostujve janë pikërisht: Fjala e Zotit dhe Shpirti Shenjtë".
E “shën Luka na tregon se fjala njerëzore nuk bëhet efikase, e frytshme falë retorikës, që është art i të folurit, por falë Shpirtit Shenjt Zot, i cili është dynamis i Hyjit, dinamika e Zotit, forca e tij, që ka fuqinë për ta pastruar fjalën, për ta bërë bartëse të jetës".
Sipas Papës," kur Shpirti e viziton fjalën njerëzore, ajo bëhet dinamike, si 'dinamit', domethënë e aftë për t’i ndezur zemrat dhe për t’i hedhur në erë modelet, rezistencat dhe muret ndarës, duke hapur udhë të reja e duke zgjeruar kufijtë e popullit të Zotit".