Papa falënderon delegacionet e Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut
R. SH. - Vatikan
Gati një muaj pas shtegtimit të 29-të apostolik në Bullgari e Maqedoninë e Veriut, Papa priti sot, në audiencë, delegacionet e dy vendeve.
Në një komunikatë, drejtuar gazetarëve, drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti, njofton se Papa falënderoi së pari delegacionin e Bullgarisë, duke e pritur në audiencë me rastin e festës së Shenjtorëve Çirili e Metodi. Françesku shprehu mirënjohjen për pritjen e përzemërt, që i bëri mbarë populli bullgar gjatë vizitës, para pak ditësh, në vend. Nënvizoi se u prek fort kryesisht nga të moshuarit, nga nderimi i thellë që gëzojnë në shoqërinë bullgare. Kjo - theksoi - është shenjë, e cila flet për nderimin e traditës gjë që - pohoi, duke cituar një frazë të Gustav Mahler, lexuar dje në “L’Osservatore Romano” – nuk do të thotë të ruash hirin, por ta mbash të gjallë zjarrin” Papa kujtoi, me emocion të ndjeshëm, edhe 245 fëmijët, që morën Kungimin e parë në Rakovski. Së fundi, duke i drejtuar një përshëndetje posaçërisht të përzemërt Metropolitit Antonio, shprehu nderimin e tij për Patrikun Neofit, të cilin e quajti klerik i fesë, burrë i butë, njeri i thellë.
Duke pritur, pastaj, edhe delegacionin e Maqedonisë së Veriut, udhëhequr nga zoti Talat Xhaferi, kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe grupet shoqëruese Papa Françesku falënderoi, gjithashtu, për mikpritjen nga ana e autoriteteve dhe popullit, gjatë vizitës në Vend, duke kujtuar posaçërisht Meshën në Shkup e, në mënyrë të veçantë, vizitën në Memorialin e Nënë Terezës - Ganxhe Bojaxhiu.
Ati i Shenjtë Bergoglio pohoi edhe se u prek thellë nga takimi me të rinjtë maqedonas të feve të ndryshme, shenjë tejet e rëndësishme e vëllazërimit. Populli juaj - përfundoi – njihet historikisht si portë e hyrjes së krishterimit në Evropë, e kjo është gjë e madhe.