Vatican News
 cappella redemptoris mater nella ii loggia del palazzo apostolico in vaticano cappella redemptoris mater nella ii loggia del palazzo apostolico in vaticano 

Papa: Shpirti Shenjt duhet të jetë protagonisti i jetës sonë

Shpirti Shenjt na bën të rilindemi prej së larti dhe të ngrihemi nga kufijtë tanë e vdekjet tona, prandaj duhet t’i lëmë hapësirë në jetën tonë. Kjo porosia e Papës gjatë predikimit të Meshës kremtuar në kapelën e shtëpisë së shën Martës, në Vatikan, i cili nënvizoi se nuk mund të ketë jetë të krishterë pa Shpirtin Shenjt Zot.

R.SH. - Vatikan

Mund të rilindemi «nga ajo pak që jemi», nga «ekzistenca jonë mëkatare» vetëm «me ndihmën e së njëjtës forcë që e ringjalli Krishtin Zot: me forcën e Hyjit» dhe pikërisht për këtë «Hyji na dërgoi Shpirtin Shenjt". Po nuk mund ta bëjmë vetvetiu. Kështu pohoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës, kremtuar sot në mëngjes, në kapelën e shtëpisë së shën Martës, në Vatikan, duke e përqendruar homelinë mbi përgjigjen që Jezusi i dha Nikodemit – siç na rrëfen Ungjilli i sotëm (Gjn 3, 3-15), i cili pyeti se si mund të ndodhte kjo. Një pyetje të cilën e bëjmë gjithashtu edhe ne. Jezusi flet për "një lindje përsëri prej së larti", do të thotë për një rilindje prej Hyjit, dhe Papa Françesku në homelinë e tij nënvizoi lidhjen që ekziston ndërmjet Pashkëve dhe mesazhit të rilindjes sonë.

Mesazhi i Ngjalljes së Krishtit Zot është " dhurata e Shpirtit Shenjt", siç na kujton në shfaqjen e parë vetë Jezusi Ngjallur para apostujve, të njëjtën të dielë të Ngjalljes, kur u tha atyre: «Merrni Shpirtin Shenjt». "Kjo është forca! Ne nuk mund të bëjmë asgjë pa Shpirtin Shenjt", shpjegoi Papa Bergoglio në homelinë e  meshës së sotme, duke kujtuar se jeta e krishterë nuk qëndron vetëm në një sjellje të mirë, të bësh kështu, të mos bësh ashtu. "Mund të bëjmë këtë" e atë, madje mund edhe ta shkruajmë jetën tonë me një "kaligrafi të jashtëzakonshme", “me lajle lule”, por jeta vërtet e krishterë, mos të harrojmë, rilind nga Shpirti Shenjt dhe për këtë arsye, në jetën tonë duhet të krijojmë vend për të:

Është Shpirti Shenjt që na bën të ngrihemi nga kufijtë tanë, të rilindemi nga vdekjet tona, sepse kemi shumë nekrozë në jetën tonë, në shpirtin tonë. Mesazhi i ringjalljes është ky që Jezusi i tha Nikodemit: duhet të lindim përsëri prej së larti. Por pse Jezusi i lë vendin Shpirtit Shenjt? Një jetë e krishterë, e cila vërtetë quhet e krishterë, e cila nuk lë vend për Shpirtin dhe nuk lejon që vetë të mbështet e të frymëzohet nga Shpirti, është jetë pagane, jetë e maskuar si e krishterë. Shpirti Shenjt është protagonisti i jetës së krishterë, Shpirti - Shpirti Shenjt - që është me ne, na shoqëron, na transformon, fiton me ne. Askush kurrë nuk u ngjit në qiell, përveç Atij që zbriti nga qielli, pra Jezusi. Ai zbriti nga qielli. Dhe Ai, në momentin e ringjalljes, na thotë: «Merre Shpirtin Shenjt», ai do të jetë shoqëruesi i jetës tënde, i jetës së krishterë.

Nuk mund të ecnim udhës së krishterë pa Shpirtin Shenjt

Prandaj, nuk mund të ketë jetë vërtet të krishterë pa Shpirtin Shenjt, i cili është "shok i përditshëm", dhuratë e Atit, dhuratë e Jezusit. Le t'i kërkojmë Zotit të na japë këtë vetëdije që ne nuk mund të jemi të krishterë pa ecur e pa jetuar me Shpirtin  Shenjt, pa vepruar me Shpirtin  Shenjt, pa lënë Shpirtin e Shenjtë të jetë protagonist i jetës sonë.

Prandaj, duhet të pyesim veten se cili është vendi i Tij në jetën tonë ", sepse – ripohoi  Papa - ti nuk mund të ecësh udhës së krishterë pa Shpirtin Shenjt". Duhet t'i kërkojmë Zotit hirin për ta kuptuar këtë mesazh: "shoku ynë i udhës është Shpirti Shenjt".

30 prill 2019, 12:20