Papa: Kisha mund të përtërihet vetëm duke dëgjuar zërin e Zotit
R. SH. - Vatikan
Françesku priti sot në audiencë, në Sallën e Papëve, anëtarët e “Missionszentrale der Franziskaner”, ardhur në Romë me rastin e 50-vjetorit të Fondacionit gjerman. Njëzet e pesë vetë, ndërmjet të cilëve, atë Andreas Müller, drejtori i parë, e edhe i sotmi, atë Matthias Maier, që i drejtoi përshëndetjen Atit të Shenjtë.
Angazhimi në favor të varfanjakëve, të harruar nga bota
Papa e vlerësoi lart angazhimin e Organizatës së Urdhërit françeskan, që e nisi veprimtarinë në Bad Godesberg, distrikt urban i Bonit:
“Është gjë e bukur që ju, si bashkësi vëllezërish rregulltarë dhe besimtarësh laikë të angazhuar u drejtoheni të gjithë njerëzve vullnetmirë, duke i nxitur t’i ndihmojnë nevojtarët e të braktisurit në mbarë botën e t’u sigurojnë një ardhmëri më njerëzore”.
Shembulli i Shën Françeskut, gjithnjë aktual
Jezusi ka thënë: “Çka t’ia bëni vetëm njërit nga vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua” E Papa e nënvizoi frymëzimin që “Missionszentrale der Franziskaner” e merr nga shembulli i Shën Françeskut të Asizit, që zgjodhi varfërinë dhe jetoi në lidhje të ngushtë me të varfrit, me dhuratat e provanisë në korp e paqen e Krishtit në shpirt. Me këtë frymë - vërejti Ati i Shenjtë - Qendra juaj misionare, me origjinë modeste, mundi të endë një rrjet botëror bamirësie, solidariteti, vëllazërimi.
Kufizimet e Kishës dhe dëgjimi i thirrjes së Zotit
Duke kujtuar, më pas, thirrjen që i bëri Jezusi Shën Françeskut për t’ia rindërtuar shtëpinë e cila, siç e shikon - i tha - është kthyer në rrënojë, Françesku vijoi:
“Ai, pavarësisht nga pervoja e kufizimeve të Kishës së asaj kohe, u vu për udhë për ta jetuar njëmendësisht Ungjillin. Edhe sot vuajmë shpesh për shkak të kufizimeve të Kishës. Fjalët, që i pati thënë i Kryqëzuari asizianit, na drejtohen të gjithëve, janë thirrje për përtëritje. E përtëritja mund të vijë vetëm duke dëgjuar zërin e Zotit e duke e lënë të na shndërrojë, për të vijuar të bëjmë mirë, së bashku me Të”.