2019-04-18-santa-messa-del-crisma-1555575533819.JPG

Papa Françesku në Meshën e Bagmit: “nuk shpërndajmë vaj me shishe”

Sot, në të Enjten e Madhe të Javës së Pashkëve, Papa Françesku bashkëkremtoi meshën e Bagmit, në orën 9.30, në Bazilikën e Vatikanit. I nxit meshtarët ta dhurojnë vetveten, duke i prekur me dorë plagët e njerëzve, pa kërkuar rehatinë personale.

R.SH. - Vatikan

“Këtë dua t’ju them: nuk jemi shpërndarës të vajit me shishe. Vajosim, duke dhuruar vetveten, duke shpërndarë thirrjen dhe zemrën tonë. Ndërsa vajosim, vajosemi sërish nga feja dhe dashuria e popullit tonë”. Kështu u tha Papa Françesku meshtarëve, ipeshkvijvve dhe kardinajve, me të cilët, sot, në të Enjten e Madhe të Javës së Pashkëve, bashkëkremtoi meshën e Bagmit, në orën 9.30, në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë meshës, Ati i Shenjtë bekoi vajrat e shenjta, që do të përdoren gjatë vitit në vijim.

Mesha e Bagmit hap Treditëshin e Pashkëve

Bagmi është vaj i pasuruar me erëra të mira, që pas bekimit, përdoret për kremtimin e Sakramenteve kryesore në Kishë: Pagëzimi, Krezmimi, Urdhëri Shenjt e Vajimi. Karakteristike, lutja, që thuhet në këtë rast. Papa e çdo ipeshkëv në dioqezën e vet i kërkon Zotit ta bekojë e ta shugurojë vajin, që “të dikohet mbi ta forca e Shpirtit Shenjt, me të cilin ka vajuar meshtarët, mbretërit, profetët dhe martirët”. Kuptohet fare mirë kështu, pse Mesha e Bagmit hap Treditëshin e Pashkëve, në të cilin kundrojmë e meditojmë misterin e vdekjes e të ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht.

“Turma” dhe “vajimi”

         Por le t’i kthehemi homelisë, që mbajti sot Papa Françesku. Fjala “turmë”, që nuk është nënçmuese, por ka kuptimin ungjillor të “popullit të Zotit”, si edhe “vajimi” e kuptimi që i ka dhënë atij Krishti, ishin në qendër të meditimit të Atit të Shenjtë, i cili u nis nga Ungjilli i ditës, sipas Lukës. Prej tij, Papa reflektoi mbi tre hire, që karakterizojnë marrëdhëniet e Jezusit me turmat: hirin që ta ndiqnin, hirin që ta admironin dhe hirin e shoshitjes.

Hiri i ndjekjes, hiri i admirimit dhe hiri i shoshitjes

         Papa kujtoi se turmat e ndiqnin Jezusin kudo, e dëgjonin, e rrethonin. Emblematik, meskiniteti i dishepujve, kur i thonë t’i largojë njerëzit, sepse kështu, do të mund të kërkonin diçka për të ngrënë. “Këtu – theksoi Papa – besoj se filloi klerikalizmi: në këtë dëshirë për të siguruar ushqimin dhe rehatinë personale, pa pyetur për njerëzit. Krishti i dha fund këtij tundimi. ‘Ju vetë u jepni atyre të hanë’, që përgjigjja e tij: ‘pra, kujdesuni për njerëzit!’”.

         Krishti, vijoi Papa, shkaktonte edhe admirimin e njerëzve, që e përshëndesnin, i kërkonin bekime dhe e bekonin. Pastaj, i mësonte si dikush, që kishte autoritet, në ndryshim nga farisenjtë dhe nga dijetarët e Ligjit. I mësonte njerëzit të reflektonin e t’i shoshisnin mirë punët. “Forca e doktrinës së tij – nënvizoi Papa – ishte e aftë të hynte në zemra dhe shpirtrat e këqinj i bindeshin; përveç kësaj, sikur edhe për një çast, i linte pa gojë ata, që flisnin në mënyrë tinzake. E njerëzit kënaqeshin me këtë”.

Të varfërit, të burgosurit e luftës, të verbërit, të shtypurit

         Pastaj, Papa Françesku u thellua në këndvështrimin e shën Lukës ungjilltar mbi turmën, duke e ndarë atë në katër grupe, që fitojnë vajimin e Zotit: të varfërit, të burgosurit e luftës, të verbërit, të shtypurit.

         “Ashtu si vajimi bëhet mbi një pjesë, por veprimi i tij i sjell dobi gjithë trupit, ashtu edhe Zoti, duke kujtuar profecinë e Isaisë, përmend ‘turma’ të ndryshme, drejt të cilave e dërgon Shpirti Shenjt, duke ndjekur dinamikën e asaj, që mund ta quajmë ‘preferencë përfshirëse’: hiri dhe karizma, që i dhurohen një personi apo një grupi të veçantë - si çdo veprim i Shpirtit - shumëfishohen në dobi të të gjithëve”.

Dy kacidhet e vejushës

         Papa i analizoi këto grupe një për një. Për të varfërit, kujtoi se Zotit i pëlqen veprimi i vejushës, që lyen me gishtat e saj dy kacidhet e fundit, të cilat i jep për lëmoshë. “Vajimi i asaj vejushe për lëmoshët – theksoi Ati i Shenjtë – kalon pa u vënë re nga sytë e më të shumtëve, përveç Jezusit, që e sheh me mirësi vogëlsinë e saj. Me të, Zoti mund ta plotësojë më së miri misionin për t’u kumtuar Ungjillin të varfërve”.

Bartimeu

         Shembull për të verbërit, është Bartimeu, lypësi, që pasi rifitoi shikimin me ndërhyrjen e Krishtit, pati sy veç për Të. Është vajimi i vështrimit, nënvizoi Papa Françesku. “I vështrimit tonë, të cilit sytë e Jezusit mund t’i kthejnë atë shkëlqim, që vetëm dashuria falas mund ta japë, atë shkëlqim, që përditë na vidhet nga pamje interesi, ose banale, me të cilat na mbyt bota”.

Samaritani i Mirë

         Për të folur mbi të shtypurit, shën Luka ungjilltar përdor fjalën “traumë”, gjë që e bën Papën të kujtojë shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë. Ai, që leu me vaj e fashoi plagët e njeriut të sulmuar nga hajdutët, s’bëri tjetër, veçse vajosi varrët e Krishtit. “Në atë vajim është ilaçi për të gjitha traumat, që i lënë jashtë loje njerëzit, familjet dhe mbarë popujt, si të përjashtuar e të tepërt, në skaj të historisë”.

Kolonizimi ideologjik

         E së fundi, të burgosurit, ata të luftës, që i vinin për udhë duke i shtyrë me shtizë. Sot, denoncoi Papa, qytetet burgosen jo aq me majën e shtizës, por me mjete më të holla, si kolonizimi ideologjik. “Vetëm vajimi me kulturën vetjake, farkëtuar nga puna dhe arti i paraardhësve, mund t’i lirojë qytetet nga këto skllavëri të reja”.

Modeli ungjillor i meshtarëve

         Këta njerëz, theksoi Papa, këto katër grupe janë modeli ynë ungjillor. “Jemi zgjedhur në mesin e tyre e pa frikë, mund të identifikohemi me këta njerëz të thjeshtë. Ata janë imazhi i shpirtit tonë dhe imazhi i Kishës. Secili mishëron zemrën unike të popullit tonë”. E pastaj, Ati i Shenjtë iu drejtua meshtarëve:

         “Ne meshtarët jemi i varfëri e, do të donim të kishim zemrën e vejushës së varfër kur bëjmë lëmoshë, prekim me dorë lypësin dhe e shohim në sy. Ne meshtarët jemi Bartimeu e, çdo mëngjes, ngrihemi për t’u lutur, duke kërkuar: ‘O Zot, bëj që unë të shoh!’ Ne meshtarët jemi, në një farë caku të mëkatit, si i plagosuri për vdekje nga hajdutët. E, ne të parët, duam të jemi ndër duart e dhembshura të ndonjë Samaritani të Mirë, që pastaj, me duart tona të kemi mëshirë për të tjerët”.

Meshtarët, pranë grigjës

         Duke iu referuar liturgjisë së sotme, shugurimit të vajrave të shenjta, pra, të Bagmit, Papa kujtoi se meshtarët nuk janë shpërndarës të vajit me shishe. “Vajosim, duke i ndotur duart, duke i prekur plagët, mëkatet, ankthet e njerëzve; vajosim, duke i parfumuar duart me fenë e tyre, me shpresën, besnikërinë dhe bujarinë pa rezerva të dhurimit të tyre. Ai që mëson të vajosë e të bekojë shërohet nga meskiniteti, nga abuzimi dhe nga mizoria”.

         Papa Françesku e përfundoi homelinë e meshës së Bagmit me lutjen që Zoti të dikojë mbi meshtarët Shpirtin e shenjtërisë, që të dinë të kërkojnë mëshirë për grigjën, që u është besuar, e për botën mbarë.

18 prill 2019, 11:54