Shenjtërorja e Zojës së Loretos Shenjtërorja e Zojës së Loretos 

Nesër Papa në Loreto: të rinjtë e të sëmurët, ndërmjet protagonistëve

Vizita e Françeskut në Loreto do të jetë e nënta e një Pape gjatë 57 vjetëve të fundit. Para tij ishin Shën Gjoni XXIII, Shën Gjon Pali II (pesë herë), e në dy raste, Benedikti XVI. Hera e fundit, më 2012. Kanë kaluar 162 vjet që kur asnjë Papë nuk e ka kremtuar më Eukaristinë në Shtëpinë Shenjte: i fundmi ishte Piu IX, në vitin e largët 1857.

R. SH. - Vatikan

Nesër, në orën 12.00, të gjitha kambanat e kishave të zonës do ta mbushin atmosferën me tinguj festivë. Marke e Loreto e presin me padurim arritjen e Papës Françesku, pritje tepër e gjatë kjo, 7 vjet pritje, që kur Benedikti XVI vizitoi për herë të dytë Bazilikën e Shtëpisë së Shenjtë. Ishte data 4 tetor e vitit 2012, pikërisht 50 vjet pas vizitës historike të Gjonit XXIII. Asokohe Papa Roncalli pati shkuar në Loreto e në Asizi për t’ia besuar Zojës e Shën Françeskut,  fatet e Koncilit II të Vatikanit. Vizitë historike, sepse ishte e para, që bënte një Papë jashtë kufijve të Romës e rrethinave, pas bashkimit të Italisë. Por edhe Françesku do të shkruajë “një herë të parë”, që nga viti 1861 e deri më sot.

Karakteri historik i vizitës

Kur një Papë u ngjit në altar për të kremtuar Meshën në Shtëpinë  Shenjte, Italia nuk ishte bashkuar akoma. Që asokohe ka kaluar më se një shekull e gjysëm. Pikërisht 162 vjet, e pasardhësi i Shën Pjetrit ishte Piu IX. Françesku do ta kremtojë Meshën në Shtëpinë e Shenjtë në orën 09.45, kremtim, që do të trasmetohet në ekrane të mëdhenj, jashtë Bazilikës. Më pas Ati i Shenjtë do të dalë në treme, për takimin publik me të gjithë besimtarët. Aty do ta kremtojë edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot.

Nxitja pas-Sinodale

Eshtë edhe një arsye tjetër, që e bën këtë 25 mars 2019 historik: nënshkrimi i Nxitjes apostolike pas-sinodale në formë Letre, drejtuar të rinjve, me titull: “Vive Cristo, esperanza nuestra”. Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, duke shpjeguar se “me këtë gjest, Papa dëshiron t’ia besojë Virgjërës Mari dokumentin, që i vë vulën punimeve të  Sinodit të ipeshkvijve, mbajtur në Vatikan më 3 deri më 28 tetor 2018, me temë: “Të rinjtë feja dhe shqyrtimi i thirrjes”. Teksti i Nxitjes do të botohet një ditë pas nënshkrimit.

Nënshkrim i pazakontë

Ngjarje jashtëzakonisht e rrallë, pra historike, edhe nënshkrimi i një letre pas-sinodale jashtë territorit të Vatikanit. Një gjë e tillë ndodhi për herë të parë më 14 shtator 1995, kur Papa Gjon Pali II u largua nga Roma për shtegtimin e tij të 67-të ndërkombëtar drejt Afrikës, ku do të vizitonte tre shtete: Kamerunin, Afrikën Jugore dhe Kenian. Rasti ishte faza kremtore  e Asamblesë së Posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve, kushtuar Afrikës dhe Madagaskarit, zhvilluar në Vatikan, një vit më parë. Me rastin e këtij shtegtimi, u bë publike edhe Nxitja apostolike pas-sinodale “Ecclesia in Africa”. Ishte hera e parë që një dokument zyrtar nënshkruhej nga Ati i Shenjtë jashtë Qytetit të Vatikanit e Romës.

Të rinjtë e të sëmurët, protagonistë të vizitës në Loreto

Të rinjtë, pra, janë në qendër të kësaj dite kaq të pritur nga qyteti i Loretos. E jo vetëm. Edhe të sëmurët do të jenë po aq, sa të rinjtë, gjatë  vizitës së Papës i cili, në përfundim të Meshës, në shenjtërore, do t’i përshëndesë të pranishmit. Nesër, në Loreto, ku të rinjtë ishin në shtegtim kombëtar nga 22  deri më 24 mars, do të jetë edhe  një delegacion i Unitalsi-t.

 

24 mars 2019, 13:50