Papa klerit të Marokut: të jeni tharm i dashurisë vëllazërore

Në takimin me klerin, rregulltarët, rregulltaret dhe Këshillin Ekumenik të Kishave, Papa nënvizoi se “udhët e misionit nuk kalojnë përmes prozelitizmit, por mënyrës si jetojmë me Jezusin e me të tjerët”. Në përfundim të fjalimit, Françesku i priu lutjes së Engjëllit të Tënzot.

R.  SH. - Vatikan

Në ditën e dytë të shtegtimit apostolik në Marok, kushtuar posaçërisht  bashkësisë së vogël katolike vendase, Papa Françesku kujtoi domethënien e mirëfilltë të misionit, parë në dritën e Ungjillit. Duke u takuar, në Rabat, me priftërinjtë, rregulltarët dhe Këshillin Ekumenik të Kishave, Françesku - pasi dëgjoi dëshminë e një prifti e të një murgeshe - kujtoi se të krishterët e Marokut janë të pakët në numër. Por misioni - shtoi sakaq - nuk varet nga numri e as nga sasia e hapësirave, ku veprohet. Varet nga aftësia për të bërë ndryshime, për të ngjallur mrekullim, për të prekur zemrat me mëshirë, varet nga mënyra si jetojnë dishepujt e Zotit.

Tharm i lumnive

Gjendja e Kishës në Marok - vërejti Papa - na kujton një pyetje të Jezusit: “Me se mund ta krahasojmë mbretërinë e Zotit?”. Duke parafrazuar fjalët e Zotit, Ati i Shenjtë iu përgjigj pyetjes, me pyetje: “Me kë ngjason i krishteri në këto toka?

“Është i ngjashëm me pakëz tharm, që Kisha Nënë dëshiron ta përzjejë me sasinë e madhe të miellit, derisa të tharet i gjithë brumi. Sepse Jezusi nuk na zgjodhi, as nuk na dërgoi të bëheshim gjithnjë më shumë! Na thirri për një mision. Na vuri në një shoqëri si sasi e vogël tharmi: tharm i lumnive dhe i dashurisë për vëllezërit, në gjirin e të cilëve, si të krishterë, të mund të punojmë për ta  bërë të pranishme Mbretërinë e Tij”.

Shija e Ungjillit

Françesku shpjegoi, kështu, se mision nuk do të thotë të pushtosh hapësirat. Misioni shprehet përmes takimit me Jezusin:

“Udhët e misionit nuk kalojnë përmes prozelitizmit, që të çon gjithnjë në shteg të verbër, por përmes mënyrës si jemi me Jezusin e me të tjerët. Nuk është problem, prandaj, se jemi pak, problemi krijohet kur jemi kripë, që nuk ka më shijën e Ungjillit, kur jemi dritë, që nuk ndriçon më asgjë e askënd!”.

 Të jesh i krishterë, do të thotë të takohesh

Të jesh i krishterë do të thotë të takohesh. Duke iu drejtuar rregulltarëve e rregulltareve të Marokut, Papa kujtoi se nuk duhet t’i trazojë mendimi  sipas të cilit mund të kenë vlerë vetëm po të jenë masë e të pushtojnë të gjitha hapësirat:

“Ju  e dini mirë se jeta luhet me aftësinë që kemi për të ‘tharë brumin’ atje ku jemi e me kë jemi. Edhe nëse kjo mund të mos sjellë dobi të dukshme a të menjëhershme. Sepse të jesh i krishterë nuk do të thotë të pranosh një doktrinë, as të hysh në një tempull a në një grup etnik. Të jesh i krishterë do të thotë takim, jemi të krishterë, sepse u deshëm e u takuam, jo fryt i prozelitizmit”.

Të dialogojmë, si Jezusi

Françesku kujtoi, më pas, fjalët e Palit VI:

“I krishteri në këto toka mëson të jetë sakrament i gjallë i dialogut, që Zoti dëshiron ta bëjë me secilin burrë e secilën grua, në çfarëdo gjendjeje që jeton. Dialog, të cilin jemi të thirrur ta realizojmë në mënyrën e Jezusit, me zemërbutësi e përvujtëri, me dashuri të çinteresuar, pa llogaritje e pa kufij, duke respektuar thellësisht lirinë e të tjerëve”.

Dialogu me botën

Dialogu - kujtoi Papa - është edhe porta e vëllazërimit, por…

“Është edhe një dialog, që bëhet lutje e që mund ta realizojmë konkretisht çdo ditë, në emër të ‘vëllazërimit njerëzor’, që i përfshin të gjithë njerëzit, i bashkon e i bën të barabartë. Në emër të këtij vëllazërimi, të zhubravitur nga politikat e integralizmit, nga përçarjet e sistemeve, që nuk shikojnë gjë tjetër veç fitimit, si dhe nga tendencat ideologjike të urrejtjes, që manipulojnë veprimet dhe fatet e njerëzve”(Dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor, Abu Dabi, 4 shkurt 2019).

Ardhtë Mbretëria Jote!

Lutje - pohoi Françesku - që nuk bën dallime, nuk ndan, nuk përjashton, por bëhet jehonë e jetës së të afërmit. Lutje ndërmjetësimi, e aftë t’i drejtohet Atit me fjalët guximtare “Ardhtë Mbretëria Jote!”.

“Jo me dhunë, jo me urrejtje, as me supermaci etnike, fetare, ekonomike, por me forcën e mëshirës, të gjakut, që u derdh mbi Kryq, për gjithë njerëzit. Kjo është përvoja e jetuar nga shumica juaj”.

Të mbillet e ardhmja

Ati i Shenjtë i falënderoi, posaçërisht rregulltarët e rregulltaret  e Marokut për atë që bëjnë si dishepuj të krishterë në këtë vend, me dialog, bashkëpunim e miqësi, mjete të përdorura për të mbjellë ardhmërinë e shpresës.

Gjithnjë pranë të varfërve, të burgosurve e migrantëve

E, në vijim i inkurajoi pjesëtarët e Kishës së Marokut,  ta bëjnë të dukshme praninë dhe dashurinë e Krishtit:

“Vijoni të bëheni të afërt me ata, që mbeten prapa botës, me të vegjlit e të varfërit, të burgosurit e migrantët. Dashuria juaj e krishterë u bëftë gjithnjë më aktive e qoftë, kështu, udhë bashkimi ndërmjet të krishterëve dhe të gjitha konfesioneve të tjera të pranishme në Marok: ekumenizëm i bamirësisë. E qoftë edhe udhë dialogu e bashkëpunimi me vëllezërit e motrat tona myslimane si dhe me të gjithë njerëzit vullnetmirë”.

Në shërbim  të drejtësisë e të paqes

Mundësia më e mirë për të vijuar punën në favor të kulturës së takimit - përfundoi Papa - është dashuria e krishterë, posaçërisht ndaj njerëzve më të ligshtë, duke uruar që kjo të jetë rruga, e cila u krijon njerëzve të përjashtuar nga radhët e shoqërisë, mundësinë të bëhen anëtarë të familjes së vetme njerëzore, nën shenjën e vëllazërimit:

“Si dishepuj të Jezu Krishtit, me këtë frymë dialogu e bashkëpunimi, jepni gjithnjë kontributin tuaj në shërbim  të drejtësisë e të paqes, të edukimit të fëmijëve e të të rinjve, të mbrojtjes dhe shoqërimit të të moshuarve, të të ligshtëve e të të shtypurve”.

Engjëlli i Tënzot

Pas fjalimit drejtuar priftërinjve, rregulltarëve dhe Këshillit Ekumenik të Kishave, Françesku i priu, në katedralen e Rabatit, lutjes së Engjëllit të Tënzot. Gjatë lutjes, Atin e Shenjtë, që i do aq shumë fëmijët, e rrethuan pikërisht disa vocrrakë, që i dhanë freski të veçantë këtij çasti prekës,  jo të zakonshëm.

31 mars 2019, 15:30