Përfundoi udhëtimi i 28-të apostolik i Papës Françesku, dy ditë në Marok
R.SH. - Vatikan
“Dëshiroj të bekoj Zotin – tha Papa në përfundim të meshës, me të cilën u mbyll dita e sotme dhe krejt vizita apostolike – që më dha mundësinë të bëj këtë udhëtim për të qenë para jush e me ju, si shërbëtor i Shpresës”.
Papa Françesku, shërbëtor i Shpresës
“Shërbëtor i Shpresës”: kjo ishte motoja e këtij udhëtimi, gjatë të cilit Françesku përqafoi popullin maroken, shumica e të cilit është myslimane; vizitoi mauzoleun e sulltanit, që konsiderohet ati i Marokut modern; u takua me mbretin Muhamet VI, me të cilin nënshkroi një thirrje të fuqishme për Jeruzalemin; shkoi në Institutin ku formohen imamët e gratë e burrat predikatarë të Islamit; pati fjalë ngushëlluese për migrantët; vizitoi fëmijët e sëmurë, për të cilët kujdesen murgeshat vinçenciane; u takua me klerin katolik dhe me Këshillin Ekumenik të Kishave e; së fundi, kremtoi meshën në Kompleksin Sportiv “Princi Moulay Abdellah”.
Ati i Shenjtë përforcoi në fe bashkësinë katolike
Ati i Shenjtë përforcoi në fe bashkësinë katolike, të cilën e falenderoi për impenjimin e saj në shoqërinë marokene dhe e inkurajoi – siç tha në përshendetjen pas meshës – “të vijojë udhën e dialogut me vëllezërit dhe motrat myslimane, si edhe të bashkëpunojë që të bëhet i dukshëm ai vëllazërim universal, i cili e ka burimin në Zotin. Qofshi këtu – uroi Papa – shërbëtorët e shpresës, për të cilët bota ka aq shumë nevojë”.