Vatican News
 Papa pret delegacionin e Këshillit Kombëtar të Pricipatës së Monakos Papa pret delegacionin e Këshillit Kombëtar të Pricipatës së Monakos  (Vatican Media)

Françesku: si banorë të botës, jemi të gjithë përgjegjës për ardhmërinë e saj

Papa Françesku priti sot në audiencë deputetët e Këshillit Kombëtar të Principatës së Monakos. Gjatën takimit, kujtoi se në një kohë mosbesimi e edhe refuzimi, “është e ngutshme të krijosh lidhje ndërmjet njerëzve e vendeve”, që secili ta ndjejë fort përgjegjësinë e tij “si banor ”, qytetar e aktor i së ardhmes së botës.

R. SH. -Vatikan

“Në një kohë mosbesimi dhe egoizmi, nganjëherë edhe refuzimi, është urgjente të krijohen lidhje ndërmjet njerëzve e vendeve”, që në shpirtin e secilit të thellohet gjithnjë më shumë vetëdija e përgjegjësisë, si banor, qytetar e aktor në skenën e të ardhmes së kësaj bote”. Këtë u kujtoi Papa Françesku 24 deputetëve të Këshillit Kombëtar të Principatës së Monakos, parlament me një dhomë të vetme i Shtetit të vogël, që laget nga  Mesdheu, me president Laurent Nouvion, në audiencë, sot paradite, në Sallën e Koncistorit.

Parlamentarët e Monakos po studiojnë punën e Selisë së Shenjtë

Parlamentarët monegaskë, të shoqëruar nga kryeipeshkvi Bernard Cesar Augustin Barsi, po kryejnë një shtegtim studimi, për të njohur nga afër punën që zhvillohet në Selinë e Shenjtë - kujtoi Papa në fillim të fjalimit.- E këtë po e bëjnë duke zhvilluar takime mbi tema, që u interesojnë e për të cilat angazhimi është i përbashkët. Françesku ripreku, më pas, disa nga temat e mesazhit të tij për Ditën Botërore të Paqes të këtij vitit, duke nisur nga nevoja për një politikë të mirë, parë si udha themelore për ndërtimin  e vendeve dhe të veprave të njeriut. Rikujtoi se atje ku ka politikë të mirë, ka edhe zhvillim. Sepse njeriu e ndjen gëzimin e punës, vetëm kur prek  rezultatet e saj.   

Punoni, së bashku, pa pushim, për të mirën e përgjithshme

Papa i inkurajoi deputetët e Principatës ta kryejnë me sukses misionin delikat “të punës së përbashkët, pa pushim, për të mirën e përgjithshme, jo atë vetjake!”:

“Uroj që ta keni gjithnjë për zemër - theksoi - krijimin e një ardhmërie të begatë për çdo qytetar, duke respektuar vlerat themelore: dinjitetin e njeriut e të çdo jete njerëzore, ashtu si edhe respektin për institucionet e Principatës”.

Angazhimi për mjedisin, kundër ngrohjes klimaterike

Papa Françesku kujtoi, më pas, se shteti i vogël, me kryeqytet Montekarlon, “ka traditën e gjatë e të bukur të angazhimit në shërbim të ambientit, posaçërisht përmes Fondacionit Alberti II i Monakos”. Sfida e re është ajo e ngrohjes klimaterike dhe pasojave, të cilat vënë në rrezik   posaçërisht ata njerëz, që jetojnë në situata të vështira si dhe zonat bregdetare të Planetit. E Principata, edhe në planin humanitar, bën shumë “për t’i ndihmuar t’i kapërcejnë vështirësitë e ndryshme, në bashkëpunim me Kishën Katolike dhe Konfesionet e tjera të krishtera, përveçse me Ojq-të e shumta”.

02 shkurt 2019, 13:15