Papa gjykatësve: respekojeni dinjitetin e njeriut dhe gjykoni me shikim dashamirës
R. SH. - Vatikan
Ç’është drejtësia? E ku synon të mbërrijë? Cilat janë sot sfidat për gjykatësit? Duke e projektuar fjalimin drejtuar gjykatësve drejt këtyre horizonteve, që e kapëcejnë kuadrin thjesht juridik, Françesku kujtoi se jetojmë “në një kohë, në të cilën e vërteta shpesh falsifikohet”. Prej këndej - nënvizoi Papa - është e nevojshme të pohohet epërsia e realitetit, mbi idenë. Sepse kjo e fundit, s’është tjetër, veçse përpunim i realitetit.
Detyrat e gjykatësit
Shoqata Kombëtare e Gjykatësve - pohoi Papa - ka për detyrë të mbikqyrë rregullat demokratike dhe të promovojë vlerat kushtetuese, në shërbim të së mirës së përbashkët. Gjykatësit - shtoi - janë të thirrur të kontrollojnë me përpikmëri e kujdes “vërtetësinë e fakteve”, përmes studimit të thelluar dhe përpjekjes së vazhdueshme për përditësim. Por ky angazhim themelor duhet zbatuar shpesh në një ind shoqëror të shthurur e të copëzuar:
“Jetojmë në rrethana të përshkuara nga tensionet e copëzimet, që rrezikojnë ta dobësojnë indin shoqëror e ta shuajnë zërin e ndërgjegjes qytetare të shumëkujt, me prirjen për mbrojtjen e interesave private, gjë që shpesh lind çinteresimin dhe bëhet terren i kultivimit të ilegalitetit. Kërkimi i një mori të drejtash, deri atyre të breznisë e tretë e të katërt, lidhur me teknologjitë e reja, ndikon shpesh mbi perceptimin e pamjaftueshëm të detyrave dhe mungesën e përhapur të ndjeshmërisë për të drejtat parësore të shumëkujt”.
Drejtësia është virtyt
Për t’i dhënë limfë të re indit shoqëror - pohoi Françesku - duhet ripohuar vlera parësore e drejtësisë, e domosdoshme për funksionimin e drejtë të çdo fushe të jetës. Papa kujtoi se drejtësia, sipas traditës filozofike, është virtyti më i lartë, që tregon drejtimin e duhur:
“Drejtësia, është pra, virtyt, petk i brendshëm i subjektit: jo veshje e rastit, ose për t’u vënë vetëm për festa, por petk që duhet ta kesh gjithnjë në shtat, sepse të vesh e të mbështjell, duke ndikuar jo vetëm mbi vendimet konkrete, por edhe mbi ndjetet e mbi planet”.
Drejtësia e paqja
Pa pikëmbështetjen e drejtësisë - nënvizoi Papa - e gjithë jeta shoqërore ngec në vend, si një portë që nuk mund të hapet e lëshon një cingërrimë të padurueshme. Të gjitha energjitë pozitive, të pranishme në korin shoqëror, duhet të bashkëveprojnë në shërbim të drejtësisë, sepse ky është kushti kryesor për sigurimin e paqes:
“Ju, gjykatësve, ju besohet në mënyrë të veçantë drejtësia, sepse jo vetëm që e praktikoni me shkathtësi, por edhe e promovoni pa u lodhur kurrë”.
Zbraztësi legjislative
Papa kujtoi se gjykatësit hasin me mijëra vështirësi në shërbimin e tyre të përditshëm, që pengohet nga mungesa e burimeve për mbajtjen e strukturave e punësimin e personelit, nga ndërlikimet në rritje të situatave juridike, nga sasia e tepërt e ligjeve, nga konflikti ndërmjet ligjeve të ndryshme, të vjetra e të reja, kombëtare e ndërkombëtare. Këtyre pengesave u shtohen edhe zbrazësitë ligjore:
“Zbraztësi ligjore, në disa nga çështjet më të rëndësishme, ndërmjet të cilave, ata që lidhen me fillimin dhe fundin e jetës, me të drejtën familjare e me realitetin e ndërlikuar të emigrantëve. Këto situata kërkojnë nga gjykatësi marrjen mbi vete të përgjegjësive, që nuk përfshihen në detyrat normale e që këkojnë kujdes edhe më të madh”.
Jo funksionarë, por modele
Papa, duke theksuar se gjykatësit nuk janë vetëm funksionarë, por modele për gjithë qytetarët e posaçërisht për të rinjtë, uroi, në përfundim, që drejtësia të bëhet gjithnjë më shumë “përfshirëse”, plot me vëmendje për të fundmit e për integrimin e tyre. E uroi edhe që gjykatësit t’i ruajnë në kujtesë, rrënjët e tyre më të rëndësishme:
“Ju përgëzoj, sepse i kujtoni gjykatësit, që vuajtën dhe humbën deri jetën në kryerjen besnike të detyrës. E edhe unë e kujtoj secilin prej tyre me mirënjohje të thellë”.