Papa Françesku pritisot në Sallën Pali VI, në Vatikan, punonjësit e burgut romak Regina Coeli Papa Françesku pritisot në Sallën Pali VI, në Vatikan, punonjësit e burgut romak Regina Coeli 

Papa: burgu të jetë laborator shprese

Papa Françesku takon në Sallën Pali VI, 600 policë, mjekë, edukatorë, administratorë, kapelanë dhe vullnetarë “në shërbim të të burgosurve” të burgut romak Regina Coeli, vizituar në mars të vitit 2018. Me punën tuaj, u thotë, burgu mund të kthehet në vend rimëkëmbjeje, ringjalljeje dhe ndryshimi.

R.SH. - Vatikan

Dënimi me burgim është kohë, gjatë së cilës i burgosuri duhet të paguajë për krimet e bëra, por është edhe kohë vuajtjesh për mungesën e lirisë. Megjithatë, me ndihmën e atyre, që punojnë në shërbim të të burgosurve, burgu mund të kthehet në “laborator humaniteti e shprese”, vend për t’u rimëkëmbur, për t’u ringjallur e për ta ndryshuar jetën. Papa Françesku ua kujtoi këtë rreth 600 policëve, mjekëve, edukatorëve, administratorëve, kapelanëve dhe vullnetarëve të burgut romak Regina Coeli, të cilët i priti sot në Sallën Pali VI, në Vatikan.

Kujdesuni për plagët e atyre, që e kanë humbur lirinë për gabimet e veta

         Të burgosurit janë takuar me Atin e Shenjtë të Enjten e Madhe të vitit të kaluar, më 29 mars 2018, kur Papa kremtoi me ta meshën e Darkës së Mbrame. E pikërisht ata ishin në qendër të reflektimit të Papës, i cili u foli kujdestarëve të tyre, duke i lënë mënjanë fletët e përgatitura.

Burgu është vend ndëshkimi, në kuptimin e dyfishtë të dënimit dhe të vuajtjes, prandaj, ka shumë nevojë për vëmendje dhe njerëzi. Është një vend ku të gjithë, policia e burgjeve, kapelanët, edukatorët dhe vullnetarët janë të thirrur në detyrën e vështirë për t’u shëruar plagët atyre që, për shkak të gabimeve të veta, janë privuar nga liria.

Burgu duhet humanizuar

         Ati i Shenjtë vuri në dukje disa nga problemet e burgjeve, si mungesa e personelit dhe mbipopullimi, duke bërë thirrje që ato të mos i pengojnë punonjësit të kujdesen për të burgosurit. Françesku preku çështjen e ekuilibrit personal, të motivacionit dhe të stresit të punës së tyre, që shtohet nga turnet e rënda dhe nga largësia prej familjes. Vuri në dukje nevojën që punonjësit e burgjeve të garantojnë jo vetëm sigurinë, por edhe të fashojnë plagët e burrave e të grave, që takojnë përditë.

Askush nuk mund ta dënojë tjetrin për gabimet që ka kryer, as t’i shkaktojë vuajtje, duke i fyer dinjitetin njerëzor. Burgjet duhet të humanizohen gjithnjë e më shumë. Është e dhimbshme të ndihet se shpesh ato konsiderohen si vende dhune dhe ilegaliteti, ku mbizotërojnë ligësitë e njeriut.

Ta ndihmojmë të ringrihet atë, që ka rënë në kurthin e së keqes

         Papa Françesku bëri thirrje të mos harrohet se shumë nga të burgosurit janë të varfër, pa pika referimi e pa familje. Për shoqërinë, ata janë hedhurina. Por në burg, mund të rimëkëmben, me ndihmën e veprimtarëve, që i nxisin të ndryshojnë jetën. Ky qëndrim është i ngjashëm me atë të Krishtit, i cili dënonte mëkatin, por i jepte dorën mëkatarit për t’u ngritur sërish në këmbë. Të burgosurit duhet të shpresojnë se mund të integrohen përsëri në shoqëri, nënvizoi Papa.

Të gjithë së bashku, Drejtoria, Policia e Burgjeve, kapelanët, edukatorët, vullnetarët dhe bashkësia e jashtme janë të thirrur të ecin në një drejtim të vetëm, për t’i ndihmuar të rimëkëmben dhe të shpresojnë ata, që fatkeqësisht kanë rënë në kurthin e së keqes. Nga ana ime, ju shoqëroj me dashuri dhe lutje, që, me punën tuaj, të mund të kontribuoni që burgu, vend dhimbjesh dhe vuajtjesh, të jetë edhe laborator i humanitetit dhe i shpresës.

07 shkurt 2019, 14:25