Papa u takua me z. Abiy Ahmed, kryeministër i Republikës Demokratike Federale të Etiopisë Papa u takua me z. Abiy Ahmed, kryeministër i Republikës Demokratike Federale të Etiopisë 

Papa pret kryeministrin e Etiopisë: paqja me Eritrenë dhe zhvillimi i Afrikës, në qendër të bisedës

Etiopia, vend i karakterizuar shpesh nga paqëndrueshmëria politike, ka qenë disa herë në qendër të meditimit të Papës Françesku. Ati i Shenjtë priti sot pasdite kryeministrin e Republikës Demokratike Federale të Etiopisë, Abiy Ahmed Ali.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot pasdite kryeministrin e Republikës Demokratike Federale të Etiopisë, Abiy Ahmed Ali, së bashku me delegacionin, që e shoqëronte.

Marrëveshja e fundit dhe rifillimi i marrëdhënieve diplomatike me Eritrean ishin në qendër të bisedës së përzemërt prej 15 minutash, në Pallatin Apostolik. Zyra e Shtypit e Vatikanit njofton se “u fol për angazhimin e Etiopisë në stabilizimin e Bririt të Afrikës” dhe për “gjendjen rajonale, zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe zhvillimin socio-ekonomik të Afrikës”. Kryeministri etiopas dhe Papa biseduan për “nismat e rëndësishme në promovimin e pajtimit kombëtar, si dhe në zhvillimin e gjithanshëm të vendit”. Palët nuk munguan “të nxjerrin në pah rolin e krishterimit në historinë e popullit etiopas dhe të vlerësojnë kontributin e institucioneve katolike në arsim dhe shëndetësi”.

Shkëmbimi i dhuratave

Në fund të takimit, kryeministri i dhuroi Papës pëlhura tipike të Etiopisë dhe një pikturë, që pasqyron Krishtin e Ngjallur. Nga ana e tij, Françesku dhuroi një medalje të një artisti të shekullit të kaluar, që pasqyron shkretëtirën, ku spikasin një kallëz gruri e një vile rrushi: i referohen - shpjegoi Papa - profecisë së Isaisë “shkretëtira, një ditë, do të bëhet kopsht”. Ati i Shenjtë i dhuroi kryeministrit etiopas edhe tekstin e Mesazhit për Ditën Botërore të Paqes 2019 dhe katër dokumente papnore: Evangelii Gaudium, Laudato si, Gaudete et Exultate dhe Amoris Laetitia. Më pas, kryeministri u prit nga kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit i Vatikanit.

Çast i rëndësishëm për Etiopinë

         Etiopia, vend i karakterizuar shpesh nga paqëndrueshmëria politike, ka qenë disa herë në qendër të meditimit të Papës Françesku. Herën e fundit, Ati i Shenjtë e përmendi më 7 janar, gjatë shkëmbimit të urimeve të Krishtlindjes me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë. “Gjatë vitit të fundit – nënvizoi Papa – ka pasur disa sinjale të rëndësishme paqeje, duke filluar nga Marrëveshja historike ndërmjet Etiopisë dhe Eritresë, që u jep fund 20 vjetëve të konfliktit dhe rilidh marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve”.

Inkurajimi i Papës për ipeshkvijtë e Etiopisë

         Edhe në takimin me ipeshkvijtë e Etiopisë e të Eritresë, më 9 maj 2014, kur ata ndodheshin për vizitë “ad Limina” në Vatikan, Ati i Shenjtë i lavdëroi prelatët për impenjimin e tyre në favor të të varfërve, duke përvijuar edhe gjendjen e dy vendeve, ku katolikët janë pakicë, pavarësisht se krishterimi, sidomos në Etiopi është feja më e përhapur, në traditën e saj ortodokse lindore. “Vitet e shumta të konfliktit e të tensionit të vazhdueshëm, përveç varfërisë së përhapur dhe thatësirës së madhe, u kanë shkaktuar shumë vuajtje njerëzve. Ju falënderoj për programet bujare shoqërore… Mendoj, në veçanti, për fëmijët, që vuajnë nga uria dhe kanë mbetur jetimë, për shkak të dhunës e të varfërisë. Mendoj edhe për të rinjtë, që si shumë miq e familjarë, do të dëshironin të iknin nga vendi në kërkim të mundësive më të mëdha, duke rrezikuar kështu, jetën”. E Papa pati përmendur edhe punën e Kishës me të moshuarit e me shtresat më të brishta të shoqërisë, duke i nxitur ipeshkvijtë të bashkëpunonin me autoritetet civile për të mirën e përbashkët.

Etiopia, ndër protagonistët e Bririt të Afrikës

         Etiopia është shteti më i vjetër i pavarur afrikan, pasi nuk është kolonizuar kurrë, përveçse për një periudhë të shkurtër 1936-1941 nga italianët, nën Benito Musolinin. Prandaj, vendi ka një trashëgimi kulturore unike dhe është simbol pavarësie në zonë. Etiopia është një nga protagonistët kryesorë të Bririt të Afrikës, si nga pikpamja ekonomike, ashtu edhe nga ajo e sigurisë. Pritet që shteti afrikan të bëhet eksportuesi i parë i energjisë në zonë dhe vendi më i rëndësishëm për prodhimin e energjisë së rinovueshme në të gjithë kontinentin. Pavarësisht nga paqëndrueshmëria politike, Etiopia është veçanërisht aktive në luftën kundër terrorizmit lokal, kryen operacione kundër al-Kaidës dhe al-Shabaab dhe angazhohet në Sudanin e Jugut, duke mbështetur autoritetet në gjetjen e zgjidhjes për luftën civile.

21 janar 2019, 17:15