Françesku: feja duhet transmetuar me dialektin e familjes!

Para se të mësohet në katekizëm, feja duhet transmetuar nga prindërit, në shtëpi, me shembullin e jetës. E me dialektin e familjes. E kujtoi Papa sot paradite në homelinë e Meshës, kremtuar në Kapelën Sikstine, gjatë së cilës pagëzoi 27 të posalindur, 12 djem e 15 vajza. Françesku i porositi prindërit të mos grinden kurrë para fëmijëve.

R. SH. - Vatikan

Detyra, që ju ngarkohet, është t’u transmetoni fenë fëmijëve tuaj. Kjo, ftesa e Papës që, sot paradite, duke e mbajtur lirisht homelinë, u drejtoi fjalën prindërve të 27 të posalindurve, të cilëve u dha sakramentin e Pagëzimit. Reflektimi i Atit të Shenjtë u përqendrua tek transmetimi i fesë, duke theksuar se në këtë detyrë ndihmon shumë sjellja e prindërve, të cilët nuk duhet të grinden kurrë në sy të fëmijëve, sepse grindja ngjall ankth në zemrat e tyre të njoma. Kujtojmë se pikërisht me Festën e Pagëzimit të Jezusit në Jordan, nga Shën Gjon Pagëzuesi, përfundon Koha e Krishtlindjes kur Papa, sipas traditës shumëvjeçare, pagëzon disa fëmijë: Sot - nënvizoi - ju po kërkoni fenë e Kishës për fëmijët tuaj, e ata do të marrin Shpirtin Shenjt. Po nuk duhet harruar se edhe feja, pastaj, duhet të ushqehet, të rritet:

“Po, kur të shkojnë në katekizëm, do ta studjojnë mirë fenë, do ta mësojnë katekizmin. Por, para se të studiohet, feja duhet përçuar, e kjo ju takon ju. Është detyrë: ta transmetoni fenë. Kjo bëhet në shtëpi. Sepse feja duhet transmetuar gjithnjë 'në dialekt': në dialektin e familjes, në dialektin e shtëpisë, në klimën e strehës prindërore”.

Mos u grindni kurrë në sy të fëmijëve

Ashtu si herët e tjera, Papa u kërkoi prindërve t’u mësojnë, së pari, fëmijëve, të bëjnë shenjën e Kryqit, sepse ka fëmijë që nuk dinë ta bëjnë. Pastaj theksoi rëndësinë e transmetimit të fesë e, sidomos, të sjelljes së prindërve para fëmijëve, duke i porositur: mos u grindni kurrë para tyre. Rriten të pushtuar nga ankthi:

“Është e rëndësishme, prandaj, t’ua përçoni fenë me jetën tuaj të fesë. Fëmijët duhet të shikojnë dashurinë e prindërve, duhet të shijojnë paqen e shtëpisë, duhet ta ndjejnë fort se Jezusi është aty, mes tyre. E - shtoi - më lejoni t’ju jap një këshillë: mos u grindni kurrë para fëmijëve, kurrë! Është normale që bashkëshortët të grinden, normale. Do të ishte e çuditshme, po të mos grindeshin. Grinduni, pra! Veç, kujdes! Të mos ju dëgjojnë fëmijët. As të mos ju shikojnë. Ju nuk e dini ç’ankth e pushton fëmijën, kur shikon prindërit duke u grindur”.

Pastaj Françesku i këshilloi prindërit edhe t’i mëkojnë fëmijët, kur kanë uri. Kudo që jenë. Ndoshta - shtoi - qajnë se kanë uri, por ndoshta mund të kenë edhe vapë, ose qajnë për t’u mbrojtur nga  diçka, që as ata vetë nuk e dinë. E përdorin vajin si masë mbrojtëse. E Papa vijoi të jepte këshilla praktike, për t’i mbrojtur ferishtet:

“Prandaj unë po ju them: duhet të jenë rehat. Kujdes, mos i mbuloni tepër, e, nëse qajnë nga uria, mëkojini! Nënave u them: ‘Mëkojini fëmijët, qetë-qetë, Zoti  e do këtë’. Sepse foshnjet kanë thirrje polifonike. Ia nis vajit njëri, e tjetri i përgjigjet… e tjetri… e tjetri, derisa bëhet një kor vajesh. Mëkojini, pra! E kështu të shkojmë  përpara në këtë ceremoni në paqe, me vetëdijen se na takon ne transmetimi i fesë”.

13 janar 2019, 13:02