E Enjtja e Madhe 2017:  Papa u lan këmbët të varfërve E Enjtja e Madhe 2017: Papa u lan këmbët të varfërve 

Papa: të jetosh për të shërbyer, ky është sekreti i gëzimit

Në tweet-in e tij të fundit, Papa Françesku tregon një udhë, atë të shërbimit: “Jeta jonë - shkruan - përhap dritë, kur shuhet në shërbim. Sekreti i gëzimit është të rrosh për të shërbyer”.

T’u shërbesh të varfërve, të shtypurve, të shfrytëzuarve. Për Papën Françesku, çka e mbush jetën plot, është të shërbesh, jo të shërbehesh. Në tweet-in e fundit Papa fton të jetohet për të shërbyer. E këtë ftesë Ati i Shenjtë e përsërit vazhdimisht. Për të mos e harruar!

Të shërbesh - nënvizon Papa më 28 korrik 2013, gjatë Meshës në Rio de Zhanejro, ku ishte për Ditën Botërore të Rinisë, do të thotë të jetosh, të ndjesh, të mendosh, të veprosh si Jezusi! E jeta e Jezusit është jetë e shkrirë për të tjerët. Jetë e vënë në shërbim. E tëra!

Pushteti i vërtetë është shërbim

Një nyjë tjetër qendrore, është lidhja ndërmjet pushtetit dhe shërbimit. Gjatë Meshës, kremtuar në Kapelën e Shën Martës, më 21 maj 2013, Papa kujton se Jezusi “nuk erdhi të shërbehet, por të shërbejë. E shërbimi i Tij  ishte shërbimi i kryqit: Ai u përul, deri në vdekje, vdekje në kryq, për ne; për të na shërbyer e për të na shpëtuar”.

Të shërbesh, jo të shërbehesh

Nuk janë të pakta situatat, në të cilat njeriu, në vend që t’u shërbejë të tjerëve, shërbehet prej tyre. Duke u frymëzuar nga shëmbëlltyra e mbarështuesit të pandershëm, më 6 nëntor 2015, gjatë Meshës në Shtëpinë e Shën Martës, Papa kujton se ka edhe ipeshkvij e meshtarë, që duan t’i bëjnë të tjerët shkallë për t’u ngjitur gjithnjë më lart. E ka edhe nga ata, që kapen fort pas parasë. “Në vend që t’i shërbejnë Kishës, shërbehen prej saj, duke e bërë ‘afariste’, e ‘të vakët’”.

Të shërbesh do të thotë të mirëpresësh

Por, ç’do të thotë të shërbesh? Kësaj pyetjeje Papa, gjatë vizitës në Qendrën Astalli”, më 10 shtator 2013, i përgjigjet me këto fjalë: “Të shërbesh do të thotë ta mirëpresësh tjetrin me vëmendje, t’ia shtrish dorën, pa bërë llogari e pa frikë, dhembshurisht, me mirëkuptim, ashtu si Jezusi, që u përkul për t’u larë këmbët Apostujve. Të shërbesh do të thotë të punosh krah për krah me nevojtarët, të krijosh me ta lidhje njerëzore, lidhje afërsie, solidariteti”.

I krishteri jeton për të shërbyer

Ka një rregull - pohon Françesku gjatë Meshës në Shtëpinë e Shën Martës, më 26 prill 2018 - që vlen për gjithë jetën: “I krishteri jeton për të shërbyer, jo për t’u shërbyer. Shumë burra e gra, në rrjedhën e historisë, që e morën seriozisht këtë parim - kujton Papa - lanë gjurmë të krishterësh të vërtetë: gjurmë dashurie, gjurmë shërbimi!”.

15 dhjetor 2018, 15:23