Papa në audiencë: të mos e shekullarizojmë Krishtlindjen!

Papa Françesku, në katekizmin e audiencës së përgjithshme kushtuar Krishtlindjes, kujtoi të papriturat e Zotit për Marinë e Jozefin dhe i ftoi të gjithë të mos e ngatërrojnë festën e Zotit, me të botës, duke e mbushur plot me dhurata, me dreka e darka, por pa u shkuar as nëpër mend të ndihmojnë të paktën një të varfër, i cili i ngjet Zotit, që vjen gjithnjë i skamur mes nesh.

R. SH. - Vatikan

Të mos e shekullarizojmë Krishtlindjen! Të mos e lëmë mënjanë të Zotin e Festës! Nuk do të jetë Krishtlindje, në se festojmë vezullimet e botës, ngarendim për të blerë dhurata, shtrohemi në darka e dreka, pa na shkuar as në mend të ndihmojmë të paktën një të varfër, që i ngjet Zotit! Sepse  në këtë Natë Zoti lindi në një shpellë e shtroja e tij e parë qe kashta e grazhdit!

Papa Françesku, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, titulluar “Krishtlindje: të papriturat e Zotit”, i ftoi 7 mijë besimtarët e mbledhur në Sallën e Palit VI, e edhe ne të gjithë, të mos gabojmë festë, të mos e ngatërrojmë “festën plot me risi të qiellit, me festat e rëndomta të tokës”.

Festa, që i pëlqen Zotit, nuk është festa e reklamave

Sepse festa, që i pëlqen Zotit, nuk është ajo e reklamave të bujshme, e boshe - shpjegoi Papa -  që na fton të bëjmë dhurata gjithnjë të reja, për t’i befasuar të tjerët. As asaj nuk i mungojnë befasitë, por sa të ndryshme janë nga ato të vitrinave! Befasia e parë, më e madhja, është ajo, që i bën Zoti Marisë, të fejuarës së Jozefit. Në portën e saj të thjeshtë troket një engjëll, që ia ndryshon krejt jetën. Virgjëra do të bëhej nënë! Pastaj, e papritura e Jozefit: do të thirrej baba nga një fëmijë, që nuk do të ishte i biri. E që vjen në çastin më të padëshirueshëm, kur Maria e Jozefi ishin të fejuar e, sipas Ligjit, nuk mund të bashkëjetonin. E të papriturat e Zotit për Jozefin nuk mbarojnë këtu - vijoi Papa. - Tashti Jozefi, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht Marinë, mendoi ta linte fshehtazi, pa pyetur fare se kështu mund ta humbiste përgjithnjë emrin e mirë.

Krishtlindja sjell shndërrime të papritura në jetë

Kështu mendoi Jozefi! Po Zoti, që mendonte ndryshe, i kërkoi, në ëndërr, ta merrte me vete Marinë. E, së fundi, si lindi Jezusi e ai  nisi të bënte plane për familjen e re, i kërkohet të ngrihet e të niset për në Egjipt.  Krishtlindja sjell ndryshime të papritura e të pamenduara. E nëse ne duam ta jetojmë - vijoi Françesku - duhet t’i hapim zemrat e të jemi gati për çdo ndryshim të papritur të jetës.

Fjala hyjnore, “e paaftë për të folur”

Por e papritura më e madhe – shpjegoi akoma Françesku - është ajo e Natës së Krishtlindjes: “I Tejetlarti është një ferishte. Fjala Hyjnore, është një fëmijë, që do të thotë ‘I paaftë për të folur’”.

“Për ta pritur Shëlbuesin nuk kishin dalë autoritetet e kohës a të vendit, as ambasadorët: jo! Ishin barinjtë e thjeshtë që, të lajmëruar nga engjëjt nësa po unonin natën, vrapojnë pa vonesë… Për të pritur të papriturën! Krishtlindje do të thotë të kremtosh të panjohurën e Zotit, ose, më mirë, të kremtosh një Zot të panjohur, që i kthen përmbys logjikat tona, shpresat tona, pritjet tona".

Jeta nuk programohet: jeta dhurohet!

Ta kremtosh Krishtlindjen atëhere - sqaroi Papa - do të thotë të mirëpresësh mbi tokë të papriturat e Qiellit. Nuk mund të jetohet vetëm për tokën, kur qielli solli risinë e vet në botë. Me Krishtlindjen e parë nis një epokë e re, “në të cilën jeta nuk programohet, por dhurohet: ku nuk jetohet më për vetveten, sipas shijeve vetjake, por për Zotin e me Zotin, sepse që nga Krishtlindja e parë, Zoti është ‘Zot-me-ne’”.

“Ta jetosh Krishtlindjen, do të thotë të shkundesh nga risia e mahnitshme e Krishtit. Lindja e Jezusit nuk të premton dremitjen e këndshme pranë oxhakut, por  drithmën hyjnore, që e përqeth vetë historinë. Krishtlindja është fitorja e përvujtërisë mbi arrogancën, e thjeshtësisë mbi  bollëkun, e heshtjes mbi poteren, e lutjes mbi ‘kohën time’, fitorja e Zotit, mbi unin tim’”.

Duhet të bëjmë si Jezusi: të zbresim drejt atij, që ka nevojë!

Të kremtosh Krishtlindjen - vijoi të kujtojë Papa në katekizmin kushtuar Festës së madhe - është të bësh si Jezusi, që erdhi për ne, nevojtarët, e të zbresësh drejt atij, që ka nevojë për ne:

“Është të bësh si Maria: të besosh, t’i bindesh Zotit, edhe kur nuk arrin ta kuptosh ç’dëshiron prej teje. Të bësh si Jozefi: të brofësh në këmbë, për të bërë çka do Zoti, edhe pse çka do Ai i Lumi nuk përkon fare me planet tona”.

Të rrish në heshtje para Shpellës së Betlehemit

Krishtlindje - kujtoi më pas Papa - do të thotë të pëlqesh zërin e heshtur të Zotit, shumë më tepër se zhurmat e konsumizmit. Nëse dimë të rrimë në heshtje para Shpellës së Betlehemit, Krishtlindja do të jetë edhe për ne një e papritur e jo gjë e parë dhe e stërparë:

“Të heshtësh para Shpellës së Betlehemit, kjo është ftesa për Krishtlindje. Kushtoja pak kohë, shko para Shpellës e rri aty një copë herë në heshtje e do të dëgjosh apo do të shikosh të papriturën”.

Në qendër të festës nuk jemi ne, por Ai

Për fat të keq - kujtoi me shqetësim Papa - mund  të kremtohet festa e gabuar, mund të zgjidhen risitë e rëndomta të tokës, në vend të risive mahnitëse të qiellit:

“Nëse Krishtlindja mbetet vetëm festë e bukur tradicionale, në qendër të së cilës jemi ne, jo Ai, do të jetë rast i humbur. Ju lutem, të mos e shekullarizojmë Krishtlindjen! Të mos e lëmë mënjanë të Zotin e festës, si atëhere, ‘kur erdhi ndër të vetët e të vetët nuk e pranuan!'”.

Ditë ngarendjeje, por Krishti na kërkon ta presim zgjuar, duke u lutur

Këto ditë vrapohet - nënvizoi në vijim Papa - ndoshta më me ngut se gjatë gjithë vitit. Por kështu bëhet e kundërta e asaj, që do Jezusi. Çka na kërkon Jezusi, është të rrimë zgjuar, duke u lutur:

“Do të jetë Krishlindje, nëse, si Jozefi, do të rrimë në heshtje; nëse, si Maria, do t’i themi ‘ja ku jam’ Zotit; nëse, si Jezusi, do të rrimë pranë njeriut të vetmuar; nëse, si barinjtë, do të dalim nga gjerdhet tona, për të ndenjur me Jezusin. Do të jetë Krishtlindje, nëse do ta gjejmë dritën në shpellën e varfër të Betlehemit. E nuk do të jetë Krishtlindje, nëse do të kërkojmë vezullimet verbuese të botës, nëse do ngarkohemi me dhurata, me dreka e darka, por nuk do të ndihmojmë asnjë të varfër, që i ngjet Zotit, sepse për Krishtlindje, Zoti erdhi i varfër mes nesh”.

Një Krishtlindje e pasur me të papriturat e Jezusit

pëfundim Papa u uroi të gjithëve një Krishtlindje përplot me të papriturat e Jezusit. Mund të na duken të papritura të pakëndshme, por  mos harroni; janë sipas shijeve të Zotit. Nëse i pranojmë, i bëjmë vetes të papriturën më të shkëlqyer. Ta lëmë, prandaj, Zotin, të na befasojë  në këtë Krishtlindje!

Pandoro me qiriun n. 82

Duke hyrë në Sallën Pali VI, gjatë korridorit qendror, Papa mori shumë dhurata nga të pranishmit. I dhuruan një mori sendesh, ndërmjet të cilave, edhe një palë këpucë dimërore. Por, çka ra më shumë në sy, ishte një pandoro, ëmëlsirë tipike veneciane, e stolisur me bredha të vegjël e me dy qirinj në formë numrash: 8 e 2. Ishte urim për 82 vjetorin e sapofestuar të Papës.

19 dhjetor 2018, 14:50