Ati i Shenjtë pret në Vatikan, delegacionin e Komisionit ndërkombëtar kundër dënimit me vdekje Ati i Shenjtë pret në Vatikan, delegacionin e Komisionit ndërkombëtar kundër dënimit me vdekje  

Papa Françesku: dënimi me vdekje është çnjerëzor

Ati i Shenjtë pret në Vatikan, delegacionin e Komisionit ndërkombëtar kundër dënimit me vdekje dhe e falenderon për punën e bërë që të zhduket kjo formë mizore dënimi. Sinteza e fjalimit të dorëzuar.

R.SH. - Vatikan

Çdo jetë është e shenjtë dhe dinjiteti njerëzor duhet mbrojtur pa përjashtime. Papa Françesku e ngriti zërin me forcë kundër dënimit me vdekje, gjatë audiencës me një delegacion të Komisionit ndërkombëtar kundër kësaj forme dënimi. Ati i Shenjtë ua dorëzoi të pranishmëve fjalën e përgatitur në spanjisht, ku theksohet qëndrimi i shprehur në Katekizmin e Kishës Katolike, sipas të cilit, nuk mund të jepet një dënim, që e cënon rëndë dinjitetin e njeriut. Është në kundërshtim me vetë Ungjillin, shkruan Papa, sepse presupozon zhdukjen e një jete, e cila është gjithnjë e shenjtë në sytë e Krijuesit e për të cilën vetëm Zoti është gjykatësi dhe garanti i vërtetë.

Drejt pezullimit në të gjithë botën

         Papa Françesku uron që të gjitha shtetet t’i pezullojnë dënimet me vdekje deri sa ta zhdukin krejtësisht këtë formë mizore dënimi, pavarësisht nga proceset e ndërlikuara politike, që nevojiten për këtë. Njëkohësisht, denoncon me forcë edhe dënimet pa gjyq, që aktualisht, janë fenomen i zakonshëm në disa vende të botës. Ati i Shenjtë nuk harron edhe mbrojtjen e ligjshme, që gjithsesi, duhet të jetë në përpjestim me rrezikun, për të cilin njeriu arrin t’ia marrë jetën dikujt. Së fundi, Papa vë theksin në ndërtimin e një bote më të mirë, ku dënimi me vdekje të bëhet i panevojshëm. Dashuria për shoqërinë dhe impenjimi për të mirën e përbashkët, lexohet në tekst, janë formë e shkëlqyer bamirësie, që kanë të bëjnë jo vetëm me marrëdhëniet ndërmjet individëve, por edhe me marrëdhëniet shoqërore, ekonomike e politike.

17 dhjetor 2018, 14:56