Papa në takimin me donatorët e pemës së Krishtlindjes dhe Betlehemit Papa në takimin me donatorët e pemës së Krishtlindjes dhe Betlehemit 

Papa, Betlehemi dhe pema e Krishtlindjes: të ftojnё tё bëhemi dëshmitarë të mirësisë

Sot paradite, Papa Françesku priti në audiencë, në Vatikan, donatorët e Shpellës së Betlehemit – “Sand Nativity 2018” – dhe të pemës së Krishtlindjes. Duke i falenderuar, kujtoi kuptimin e thellë të këtyre dy shenjave.

R.SH. - Vatikan

Pema e Krishtlindjes dhe Betlehemi janë dy shenja, që nuk reshtin së na joshuri: flasin për Krishtlindjen, duke na ndihmuar “të kundrojmë misterin e Zotit bërë njeri”. Këtë theksoi sot, Papa Françesku, në audiencën me rreth 350 vetë. Ishin ata, që i dhuruan pemën e Krishtlindjes dhe betlehemin, që u përuruan sot në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 16.30. Shpella ku lindi Krishti, sivjet, është realizuar në formën e basorelievit, me rërën e bregdetit të Jesolos(Itali), ndërsa bredhi i lartë 21 metra, vjen nga Pylli i Consiglio-s, në dioqezën Concordia-Pordenone.

         Betlehemi dhe pema, simbole mahnitëse të Krishtlindjes – u tha Papa, të pranishmëve – mund të sjellin në familje e në vendet e takimit, një rreze nga drita dhe ëmbëlsia e Zotit, duke i ndihmuar të gjithë ta jetojnë festën e lindjes së Jezusit. Duke kundruar Foshnjën Hyjnore, që rrezaton dritë në përvujtërinë e shpellës, mund të bëhemi edhe ne dëshmitarë të përvujtërisë, të dhembshurisë e të mirësisë.

Vogëlsia është liri

         Tipari i veçantë i betlehemit të këtij viti në Sheshin e Shën Pjetrit, është piëkrisht rëra, lëndë që të bën të mendosh për thjeshtësinë, për vogëlsinë. Mund të na duket në kundërshtim me hyjninë e Krishtit, aq sa fillimisht, nënvizoi Papa, ndokush e pati konsideruar thjesht dukje, dekorim:

         Por jo, sepse vogëlsia është liri. Kush është i vogël – në kuptimin ungjillor të fjalës – nuk është vetëm i lehtësuar, por edhe i lirë nga çdo mani për t’u dukur e nga çdo pretendim për sukses; si fëmijët, që shprehen dhe lëvizin me spontanitet. Të gjithë jemi të thirrur të jemi të lirë para Zotit, të kemi lirinë e një fëmije para atit të vet. Krishti Fëmijë, Biri i Zotit e Shëlbuesi ynë, që e vendosim në betlehem, është shenjt në varfëri, vogëlsi, thjeshtësi, përvujtëri.

Pema: Zoti u përkul për të na lartuar

         Me dritat e saj, pema e Krishtlindjes na kujton se Jezusi është drita e botës, që e largon terrin e armiqësisë dhe i hap vend faljes. Bredhi i këtij viti, vijoi Ati i Shenjtë, me lartësinë e tij, na sjell ndërmend edhe një reflektim tjetër: Zoti, me lindjen e Birit të Tij, Jezu Krisht, u përkul deri tek njeriu, për ta lartuar mbi mjegullën e “egoizmit dhe të mëkatit” e për ta bërë pjesëmarrës në gjendjen njerëzore të natyrës së Tij. Së fundi, Papa Françesku falenderoi ata, që dhuruan betlehemin e pemën e Krishtlindjes, si edhe të gjithë bashkëpunëtorët në realizimin e këtij projekti.

07 dhjetor 2018, 16:07