Françesku për Tv2000: Maria dhe devocioni i myslimanëve

Kujdesi i Kishës për dukjet e Zojës, kuptimi i Magnificat dhe i devocionit të myslimanëve për Virgjërën Shenjte. Këto, temat e episodit të ri të programit “Ave Maria”, gjatë të cilit don Marco Pozza i bën pyetje Papës Françesku. Sot, në orën 21.05, në Tv2000.

R.SH. - Vatikan

“Ka ekzagjerime për dukjet e Zojës, Kisha është gjithnjë shumë e kujdesshme”. Kjo është njëra nga temat, në qendër të reflektimit të Papës Françesku, i cili u përgjigjet pyetjeve të don Marco Pozza-s, në emisionin “Ave Maria”, sot, në orën 21.05, në Tv2000, televizioni i ipeshkvijve italianë. Në programin, që reflekton mbi lutjen më të njohur mariane “Falemi Mari”, Ati i Shenjtë saktëson: “Feja rrënjoset në Ungjill, në zbulesë, në traditën e zbulesës”. Dukjet e Zojës, sipas Françeskut, bëhen problematike kur “ka vegjentë, ose nga ata që i transmetojnë këto dukje, të cilët thonë: ‘Maria është kështu e ashtu’. Maria na tregon Jezu Krishtin, por nëse mbetesh duke vështruar gishtin e jo Krishtin, nuk vepron sipas zemrës së Marisë. Do të thotë se ka diçka në atë dukje, që nuk shkon”.

Magnificat

         Me të ftuar në studio si filozofja italiane Luisa Murari, shkrimtarja izraelite Manuela Dviri dhe mësuesja arabo-izraelite Mary Bitar, programi i sotëm i kushtohet Magnificat-it. Në komentin e tij, Papa nënvizon se “Maria lëvdon Zotin e ne të krishterët, shpesh, e harrojmë lutjen e lavdit e lutjen e adhurimit. Maria – saktëson Françesku – adhuronte Zotin dhe lëvdonte Hyjin. Ky është himni Magnificat. Vjen nga lavdi, është lutje, duke lëvduar Hyjin”.

Devocioni i myslimanëve

         Papa tregon një anekdotë, për të folur mbi argumentin e fundit: devocionin e myslimanëve për Zojën. “Më thoshte një ipeshkëv i një vendi afrikan, ku jetojnë në paqe të krishterë e myslimanë. Gjatë vitit të Jubileut, çdo ditë, bëhej një radhë e gjatë për të hyrë në katedrale. Kur njerëzit hynin brenda, ndokush shkonte për t’u rrëfyer, të tjerë luteshin, por shumica shkonte para altarit të Zojës. Këta ishin myslimanë. E ipeshkvi i pyeti disa herë: ‘Po pse vini këtu?’. E ata: ‘Jubileu është edhe për ne’. Shkonin tek Zoja, sepse Maria është e afërt për popullin mysliman”.

11 dhjetor 2018, 17:14