Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Falënderimet e Papës Seksionit Polak të Radio Vatikanit, që mbushi 80 vjet

Gjatë përshëndetjes së shtegtarëve, Papa falënderoi redaktorët e Seksionit polak të Radio Vatikanit, që në këto ditë feston 80-vjetorin e ditëlindjes.

R. SH. - Vatikan

Një përshëndetje të posaçme sot paradite, në përfudim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku ua drejtoi redaktorëvet të Seksionit Polak të Radio Vatikanit që - kujtoi - këto ditë kremton 80 vjetorin e themelimit. Ati i Shenjtë i falënderoi për shërbimin ndaj Papës e Kishës:

“Dukej mirë vlerësimi i tij për punën tonë. Papa është i vetëdijshëm për shërbimin që kryejmë e na dha bekimin, si ne redaktorëve, ashtu edhe atyre, që na dëgjojnë, miliona polakëve të shpërndarë nëpër botë, që çdo ditë e dëgjojnë zërin e Papës, mësimin e Papës” - komentuan redaktorët e Programit polak.

Seksioni polak

Historia e seksionit polak nis më 24 nëntor të vitit 1938, para Luftës II Botërore, kur transmetimet në gjuhën polake nisën të bëhen të rregullta. Sot programi i seksionit polak ritransmetohet në Poloni nga 20 radio dioqezane, nga Radio Maria e radioja kombëtare, duke arritur në 2 milionë dëgjues. Është i pranishëm në Portalin Vatican News në gjuhën polake. Ndiqet nga 7 mijë vetë në ditë në facebook e 12 mijë në Twitter.

Në agim të jetës së tij ishte ndryshe. Bota nuk ishte kjo, që është sot. Polonia ishte nën thundrën komuniste, mungote liria e fjalës e transmetimet e Radio Vatikanit në atë kohë ishin tejet të rëndësishme. Pasuan vitet e Gjon Palit II, kur seksioni polak ndiqej nga më se 4 milionë dëgjues. Sot format e komunikimit janë të larmishme, ashtu si skenaret botërore, por ky mesazh ungjillor e ky shërbim ndaj Papës, që bën Seksioni Polak, plot mirënjohje ndaj Françeskut, vijon t’ia çojë Krishtin botës, së bashku me kolegët e një mori gjuhëve të tjera, që i flasin njeriut të sotëm, aq sa të duket sikur nuk punon në një ndërtesë në qendër të Romës, por njëherësh, në e për gjithë botën!

 

 

05 dhjetor 2018, 14:42